Rajoni

Pandemia koronavirus, Greqia shtynë izolimin përtej 30 nëntorit

Greqia do ta zgjasë izolimin përtej 30 nëntorit, datë e parashikuar nga qeveria si afat për fundin e masave kufizuese. Ministri i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias pohoi se nga të dhënat epidemiologjike, është e qartë se masat e rrepta antiCovid nuk mund të hiqen në fund të muajit. Zyrtari grek nuk dha asnjë garanci as për “shpëtimin” e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, duke mos e përjashtuar mundësinë që periudha festive në vendin fqinj të jetë me qarkullim të kufizuar. Vendi me rreth 11 milionë banorë ka mbi 92 mijë raste të konfirmuara me koronavirus dhe 1 mijë e 714 vdekje.

Ndërkohë Evropa po mundohet të vendos nën kontroll situatën e pandemisë pas shtimit të rasteve gjatë vjeshtës, dhe paralajmërimeve për një dimër të vështirë. Në Gjermani, kryeministrat e landeve ranë dakord të zgjasin kufizimet, që aktualisht janë në fuqi, deri më 20 dhjetor. Ndërkohë, bllokimi i dytë kombëtar i Francës, i vendosur që nga tetori, po ndihmon për të ulur shifrat e të infektuarëve dhe hospitalizimeve.

Pas katër javësh bllokimi të pjesshëm, Britania vendosi që në dhjetor të kufizohet në izolime lokale. Synimi është që në Evropë të lehtësohen masat për Krishtlindje.