Rajoni

Pandemia, kryeministri i Kosovës: “Kjo është situatë lufte”

Një ditë pasi prezantoi masat e reja kundër koronavirusit që hyjnë nesër në fuqi në Kosovë, sot kryeministri Avdullah Hoti vizitoi Infektivin në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Hoti shoqërohej nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ai tha se janë në gjendje lufte duke u përballur çdo ditë me një rrezik të madh që po shkakton viktima. Hoti i shprehu falenderime personelit shëndetësor për punën e palodhur. Në 24 orët e fundit, Kosovës i’u shtuan 773 raste të​ reja me koronavirus dhe 4 viktima.

Nesër në Prishtinë pritet një protestë para zyrës së Kryeministrit Hoti, për të kundërshtuar masat e fundit anti-COVID që nisin të zbatohen nga nesër. Janë 7 komuna të cilësuara “Zona të kuqe” dhe përfshijnë Prishtinën, Podujevën, Ferizajn, Gjakovën, Gjilanin, Pejën e Mitrovicën. Aty nuk do të lejohet qarkullimi nga ora 19:00 deri në 05:00 të mëngjesit. Gjithashtu, në Kosovë po kërkohet dorëheqja e Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj.