Travel

Pandemia nuk i paska frenuar aspak! Ja si po përgatiten evropianët për festat e fundvitit

Me afrimin e Krishtlindjeve, të gjithë mezi presin të festojnë! Por Qeveritë në Evropë kanë paralajmëruar se nëse lehtësohen kufizimet atëhere duhet të marrin vendime më të ashpra!

Në Itali shumë qytetarë prisnin që tu drejtoheshin pistave të skive gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, por Kryeministri Giuseppe Conte ka paralajmëruar se këtë vit kjo gjë nuk do të jetë e mundur. Kjo nënkupton se vendpushimet e njohura të skive në Alpe ka të ngjarë të humbasin miliarda euro. Conte po kërkon një konsensus evropian, për të mbajtur të mbyllura vendpushimet e skive dhe për masa të tjera gjithashtu.

Vendpushimet e skive në Francë gjithashtu do të qëndrojnë të mbyllura dhe kryeministri i Bavarisë deklaroi po ashtu mbylljen e përkohshme, por zyrtarët austriakë të turizmit besojnë se ata mund të ofrojnë pushime të sigurta, me masat e reja lehtësuese të cilat do të ndërmerren në 7 dhjetor dhe ata nuk e miratojnë planin italian. Vendpushimet zvicerane janë tashmë të hapura.

Italia ka numrin më të lartë të vdekjeve që nga fundi i Marsit dhe kryeministri u ka kërkuar italianëve që të kalojnë një Krishtlindje më të matur, pa mbledhje, përqafime dhe puthje. Shumë rajone italiane janë nën bllokim të pjesshëm dhe udhëtimi midis tyre është i kufizuar. Këto masa do të qëndrojnë në fuqi deri më 3 dhjetor. Pavarësisht masave të shumta kufizuese të ndërmarra në Itali, Conte i ka siguruar fëmijët se Babbo Natale do t’i vizitojë ata patjetër pasi ai  është i përjashtuar nga kufizimet globale të udhëtimeve.

Pas disa javësh bllokimi kombëtar, Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se duke nisur nga 28 Nëntori, kufizimet do të lehtësohen. Por shumica e masave të bllokimit do të qëndrojnë në vend deri pak përpara pushimeve më 15 dhjetor. Dyqanet, teatrot dhe kinematë do të hapen me kohë për Krishtlindje dhe njerëzit do të jenë në gjendje të vizitojnë familjet e tyre gjatë periudhës festive.

Vlen të përmendet se Franca ka qenë nën një bllokim të dytë kombëtar që nga fundi i Tetorit. Por më 15 dhjetor, kjo do të zëvendësohet nga një shtetrrethim mbarëkombëtar nga ora 21:00 deri në 07:00. Pavarësisht bllokimeve, Parisi dhe qytetet e shumta janë ndriçuar në pritje të festave. Baret, kafenetë dhe klubet e natës janë të mbyllura për një kohë të pacaktuar. Vendimi për të mbajtur të mbyllura vendpushimet e njohura të skive në Francë ka shkaktuar zhgënjim të madh, por Macron siguroi se ato do të hapen kur kushtet të jenë të përshtatshme.

Draft udhëzimet për të cilat është rënë dakord nga udhëheqësit e 16 shteteve të Gjermanisë synojnë të kufizojnë tubimet shoqërore gjatë Krishtlindjeve dhe janë vendosur të zyrtarizohen pas një video konference me kancelaren Angela Merkel. Nga 1 dhjetori, dy familje dhe maksimumi 5 persona do të jenë në gjendje të takohen. Fëmijët nën moshën 14-vjeç nuk përfshihen në këtë kufi.

Por mund të ketë një lehtësim të përkohshëm të rregullit me deri në 10 persona midis 23 Dhjetorit dhe 1 Janarit. Kufiri i dy familjeve gjithashtu mund të rritet. Izolimet e lehta në Gjermani do të vazhdojnë deri në 20 dhjetor. Baret, restorantet dhe vendet e argëtimit janë të mbyllura, por shkollat ​​dhe dyqanet janë të hapura. Kjo pritet të zgjatet gjatë periudhës festive. Shumica e tregjeve kryesore të Krishtlindjeve tashmë janë anuluar, por disa lokale vazhdojnë planet për të mbajtur aktivitetet në një shkallë të reduktuar.

Qeveria spanjolle po planifikon një periudhë festive “të ndryshme” me një kufi prej 6 personash të lejuar në festa familjare. Familjet spanjolle gjithashtu tradicionalisht festojnë ‘Festën e Tre Mbretërve’ me një paradë në mbrëmjen e 5 janarit dhe qeveria do të rekomandojë që festimet të mos bëhen. Plani gjithashtu rekomandon ventilimin e hapësirave të brendshme dhe mbajtjen e distancës sociale kur është e nevojshme. Por më gjerë, Ministri i Shëndetësisë Salvador Illa ka thënë “asgjë nuk është vendosur në gur”.

Qeveria e Katalonjës shpreson të lejojë mbledhje deri në 10 persona për Krishtlindje. Ndërsa në Madrid, zyrtarët po i kërkojnë qeverisë të miratojë një program testimi masiv në farmaci gjatë periudhës së Krishtlindjeve për të lejuar njerëzit të takohen në mënyrë të sigurt gjatë periudhës festive.