Bota

Pandemia/SHBA miraton ndihmën prej 1.9 trilion dollarësh!

Dhoma e Përfaqësuesve kaloi projektligjin në vlerë prej 1.9 trilion dollarësh, të ndihmës së amerikanëve të prekur nga pandemia. Dy demokratë iu bashkuan republikanëve dhe kundërshtuan nismën e propozuar nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Tashmë projektligji shkon në Senat, ku demokratët dhe republikanët kanë numër të njëjtë ligjvënësish. Një element kyç i këtij legjislacioni është kundërshtuar që ka të bëjë me dyfishimin e pagës minimale në 15 dollarë në orë. Pakoja e propozuar nga Biden ka për synim që të rrisë numrin e vaksinimit dhe testimeve kundër sëmundjes COVID-19 dhe të stabilizojë ekonominë.

Dokumenti parashikon ndihmë emergjente financiare për ekonomitë familjare, bizneset e vogla dhe qeveritë shtetërore. Votimi i këtij projektligji vjen teksa SHBA kaloi shifrën prej 500 mijë viktimash nga koronavirusi. Presidenti Biden e ka quajtur këtë projektligj si “Plani për Shpëtimin e amerikanëve”, por republikanët thonë se ky projektligj është i mbushur me prioritetet e demokratëve, që nuk janë të lidhura me pandeminë. Për këtë projektligj pritet të votohet në Senat javën e ardhshme.