Bota

Papa: Abuzimi me të miturit është me keq se vrasja!

Fjalimi i gjatë i Papës para pjesëmarrësve në Kuvendin “Promovimi i dinjitetit të fëmijëve në internet”, që filloi sot, mund të përmblidhet në një thirrje të fortë për të gjithë shoqërinë që të mbrojë të miturit në botën dixhitale. Thirrjen më urgjente ua drejtoi kompanive të këtij sektori, që duhet të garantojnë sigurinë.

Për të frenuar abuzimet me të miturit, edhe në internet, duhet kaluar nga fjalët në vepra tha Ati i Shenjtë teksa denoncoi ritmet e shpejta të shtimit e të përhapjes së imazheve të abuzimit e të shfrytëzimit të të miturve, që kanë të bëjnë me forma gjithnjë e më të dhunshme dhe me fëmijë në moshë gjithnjë e më të njomë.

Gjithashtu, Papa Françesku vuri në dukje edhe “pasojat e rënda” të përhapjes së materialeve pornografike në internet, që ndikojnë rëndë në psiqikën e të vegjëlve.

Nuk është kuptuar akoma, e shpesh nuk duan ta kuptojnë, sa e rëndë është çështja në tërësinë e saj dhe në pasojat për të ardhmen! Kjo nuk mund të arrihet pa aleancën e ngushtë me mediat, pra, me ju komunikatorët, që keni aftësinë të mobilizoni opinionin publik dhe shoqërinë. Në fakt, nuk mjafton të kuptojmë, duhet të veprojmë. Dënimi moral i dëmeve, që u bëhen të miturve, për shkak të keqpërdorimit të teknologjive të reja dixhitale, duhet të shndërrohet në nisma konkrete dhe urgjente. Sa më shumë kalon koha, aq më shumë rrënjoset e keqja e aq më e vështirë bëhet lufta kundër saj.

Ati i Shenjtë vërejti se problemi kryesor qëndron në tensionin që bëhet më pas kontradiktë ndërmjet idesë së botës dixhitale si hapësirë lirie pa kufi të shprehjes dhe të komunikimit dhe asaj të përdorimit të përgjegjshëm të teknologjive e pra, edhe të kufizimeve të tyre.

Me mbrojtjen e lirisë së plotë të shprehjes lidhet ideja e mbrojtjes së jetës private, me forma gjithnjë e më të sofistikuara të kriptimit të mesazheve, që e bëjnë shumë të vështirë e gati të pamundur çdo kontroll. Prandaj, duhet gjetur ekuilibri i përshtatshëm ndërmjet ushtrimit të ligjshëm të lirisë së shprehjes dhe interesit shoqëror për t’u siguruar se mjetet dixhitale nuk do të përdoren për veprimtari kriminale, në dëm të të miturve.

Thirrje urgjente për kolosët e internetit

Papa Françesku nënvizoi se “për të favorizuar zhvillimin e internetit, me përfitimet e tij të mëdha, kompanitë, që furnizojnë shërbimin, janë konsideruar për një kohë tepër të gjatë si furnizuese të thjeshta të platformave teknologjike e jo përgjegjëse për përdorimin e tyre, as ligjërisht, as moralisht.

Atyre u drejtoj sot thirrjen më urgjente që të jenë të përgjegjshëm përsa u përket të miturve, integritetit dhe të ardhmes së tyre. Pa përfshirjen e plotë të kompanive të sektorit, pa vetëdijen e plotë për pasojat morale dhe shoqërore të administrimit dhe të funksionimit të tyre, nuk do të jetë e mundur të garantohet siguria e të miturve në botën dixhitale. Ato duhet jo vetëm të respektojnë ligjet, por edhe të shqetësohen për drejtimet, në të cilat lëviz zhvillimi teknologjik dhe shoqëror i promovuar dhe i shkaktuar prej tyre, sepse ky zhvillim u paraprin faktikisht, ligjeve, që përpiqen të përcaktojnë normat për të.