Bota

Papa Françesku apel të fortë Putinit: Ndal dhunën dhe vdekjen!

Papa Françesku i kërkon presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, që të ndalë “këtë spirale të dhunës dhe vdekjes”, duke iu referuar luftës së paprovokuar në Ukrainë. Ati i Shenjtë i bëri këto deklarata sot, gjatë lutjeve në meshën e së dielës në Sheshin Shën Pjetër të Vatikanit. Gjithashtu, fjalët e tij konsiderohen mes komenteve më të forta të kreut të Kishës Katolike, që nga koha kur Rusia nisi agresionin në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Moska vazhdon të refuzojë fjalët “luftë” apo “agresion” dhe flet për “operacion special ushtarak që të çmilitarizohet Ukraina”.

Apeli im i drejtohet fillimisht presidentit të Federatës Ruse, duke iu lutur që për hir të popullit të tij, të ndalë këtë spirale të dhunës dhe vdekjes. Në anën tjetër, i pikëlluar nga vuajtjet e mëdha të popullit ukrainas pas agresionit, i drejtohem me një apel presidentit të Ukrainës, që të jetë i hapur për propozime serioze të paqes.

Po ashtu, Papa Françesku dënon rrezikun në rritje të një lufte bërthamore, duke e quajtur “absurde”.

Kam keqardhje të madhe për situatën serioze që është krijuar ditët e fundit, me veprime të mëtejshme të cilat bien ndesh me parimet e ligjit ndërkombëtar. Në fakt, kjo rrit rrezikun e një përshkallëzimi bërthamor deri në pikën e frikës nga pasoja të pakontrollueshme dhe katastrofike për mbarë botën.

Komentet e Atit të Shenjtë vijnë dy ditë pasi shefi i Kremlinit, Vladimir Putin njoftoi se “Rusia po anekson katër rajone të Ukrainës”, që aktualisht janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

Në fjalimin e dy ditëve më parë, ndër më të rëndësishmit e muajve të fundit, gjithashtu presidenti rus tërhoqi vëmendje kur bëri kërcënime lidhur me përdorimin e armëve bërthamore në konflikt, duke përsëritur kërcënimet e mëparshme kur ai paralajmëronte Perëndimin se nuk po bënte “bllof”. Ndërkohë, Kremlini ende nuk ka reaguar për komentet e Papa Françeskut.