Bota

Papa Françesku dënon mizorinë e ushtrisë ruse në Ukrainë!

Papa Françesku dënoi “egërsinë dhe mizorinë” e trupave ruse në Ukrainë, ndërsa vlerësoi “heroizmin” e “guximin” e ukrainasve për të mbrojtur tokën e tyre. “Ajo që po shohim është brutaliteti dhe egërsia me të cilën po zhvillohet kjo luftë nga trupat, përgjithësisht mercenarët, të përdorur nga rusët”, – deklaroi Ati i Shenjtë në një bisedë me anëtarët e medias jezuite. Diskutimet u zhvilluan muajin e kaluar dhe u publikuan sot.

Papa Françesku u tha gazetarëve se “Rusia mendonte se lufta do të përfundonte brenda një jave, por ata e llogaritën gabim”.
Ata takuan një popull trim, një popull që po lufton për të mbijetuar dhe që ka një histori lufte.

Ndërsa kritikoi ashpër pushtimin e Rusisë, kreu i Kishës Katolike këmbënguli gjithashtu se nuk ka “djem të mirë e të këqij” dhe se Rusia në një farë mënyre ishte provokuar nga zgjerimi i NATO-s në lindje. Kreu 85-vjeçar i Vatikanit deklaroi se “disa diplomatë e kuptonin se kishte shenja se një konflikt po afrohej në horizont”.

Dikush mund të thotë në këtë pikë: Por ju jeni në favor të Putinit! Jo, unë nuk jam! Do të ishte e thjeshtë dhe e gabuar të thuhet një gjë e tillë. Unë jam thjesht kundër reduktimit të kompleksitetit në dallimin mes së mirës e së keqes, pa menduar për rrënjët dhe interesat, të cilat janë shumë komplekse. Ndërsa shohim egërsinë, mizorinë e trupave ruse, nuk duhet të harrojmë problemet në përpjekje për t’i zgjidhur.

Në të njëjtën kohë, Papa Françesku vazhdoi gjerësisht duke lavdëruar guximin e ukrainasve dhe ripohoi të drejtën e tyre për t’u mbrojtur, ndërsa dënoi ato që ai tha se ishin interesat financiare në luftë nga prodhuesit e armëve për të “testuar dhe shitur armë”. Në intervistë, Papa Françesku konfirmoi se shpreson të takohet me Patriarkun rus Kirill, i cili e ka justifikuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Kjo mund të ndodhë kur të dy të marrin pjesë në një takim ndërfetar në Kazakistan në mes të muajit shtator.