Aktualitet

Papa Françesku emëron Imzot Arjan Dodaj si Arqipeshkvin e ri të Dioqezës Metropolitiane Tiranë-Durrës/ Reagojnë Meta, Rama dhe Basha.

Papa Francesku ka emëruar Arjan Dodaj si Arqipeshkvi i ri i Dioqezës Metropolitiane Tiranë-Durrës.

Kjo vjen pas largimit të Imzot George Frendo, i cili në një deklaratë nga Katedralja e Shën Palit tha se ka ardhur koha që të largohet.

Imzot Frendo tha se Dodaj ka qenë ipeshkvi ndihmës, ndërsa shprehu besimin se ai do të jetë një drejtues i përkushtuar.

“Ka ardhur kohë për të thënë lamtumirë. Është koha të kërkoj falje prej zotit dhe prej atyre që i kam fyer ndoshta pa dashje, të kërkoj falje prej zotit dhe prej jush kur nuk ju kam dhënë shembullin e duhur si i krishterë. Tani presim ditën kur kjo Arqidioqezë do t’i besohet Arjan Dodajt, i cili për 4 vjet ka qene dhe është për pak kohë ipeshkvi ndihmës. Kam besim se do ta drejtojë dioqezën me përkushtim dhe shumë besim e lutje”, thotë ndër të tjera Imzot Frendo.

Kryeministri Rama uron imzot Arjan Dodaj për emërimin në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.

Përmes një postimi në facebook, kryeministri uron imzot Dodaj në misionin e tij fisnik.

“Papa Françesku emëron një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.

Urime ARJAN DODAJ dhe Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik”, shkruan Rama në facebook.

Presidenti Meta: Imzot Arjan Dodaj do të përmbushë me sukses misionin e ngarkuar.

Presidenti Ilir Meta ka uruar përmes një postimi në facebook, Imzot Arjan Dodajn për emërimin nga Papa Françesku në krye të Arqidioqesës Metropolitane Tiranë-Durrës.

Meta shkruan se e mirëpriti me gëzim një lajm të tillë si dhe shpreh bindjen e plotë se Imzot Dodaj do ta përmbushë me sukses misionin e ngarkuar dhe detyrën e re.

“E mirëprita me gëzim lajmin e emërimit nga Papa Françesku të Imzot Arjan Dodaj, në detyrën e rëndësishme, Arqipeshkëv i Arqidioqesës Tiranë-Durrës.

Me urimin e përzemërt për punë të mbarë, shpreh bindjen e plotë se Imzot Arjan Dodaj, me dedikimin dhe shërbimin e njohur dhe të vlerësuar ndaj besimtarëve katolikë dhe popullit shqiptar, do ta përmbushë me sukses misionin e ngarkuar me detyrën e re”, shkruan Meta.

Basha mesazh urimi pë Imzot Arjan Dodaj: Mbarësi në shërbesën e tij të re.

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me emërimin nga Selia e Shenjtë të Imzot Arjan Dodaj në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës. Përmes një postimi në facebook Basha i uron Imzot Dodajt mbarësi në shërbesën e tij të re, për të mirën e përbashkët, paqen dhe shpresën në Shqipëri.

Kryedemokrati shprehet gjithashtu i bindur se Imzot Dodaj do ta çojë përpara detyrën e tij të shenjtë me të njëjtin përkushtim që e ka dalluar rrugëtimin e tij në krah të të pamundurve e të mënjanuarve të shoqërisë sonë.