Bota

Papa Françesku: Gati të takoj Putin në Moskë, lufta duhet të marr fund

Papa Françesku ka thënë në një intervistë të publikuar të martën, 3 maj, se ai ka kërkuar të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Moskë, për të diskutuar rreth ndaljes së luftës në Ukrainë, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Papa i ka thënë gazetës italiane, Corriere Della Sera se Patriarku Kirill i Kishës Ortodokse ruse, i cili ka mbështetur luftën në Ukrainë, “nuk mund të bëhet djali i altarit për Putinin”.

Kreu i Vatikanit, i cili e ka bërë një vizitë të pashembullt në Ambasadën ruse kur ka nisur lufta, i ka thënë gazetës se ai ka kërkuar nga diplomati rus që t’ia dërgojë mesazhin Putinit.

“Kam qenë i gatshëm të shkoj në Moskë. Ka qenë e nevojshme që lideri i Kremlinit të mundësojë hapjen. Ende nuk kemi përgjigje dhe jemi duke insistuar”.

Ai ka thënë se shqetësohet se Putin nuk dëshiron të ketë një takim të tillë tani.

“Si mund të mos ndalë kaq shumë brutalitet?”

Ai ka folur dhe rreth momenteve të para që prej nisjes së luftës. Që prej ditës së parë telefonoi vetëm Zelenkyn, ndërsa si reagim ndaj Rusisë, Papa u shpreh se donte të bënte një gjest të qartë për ta parë e gjithë bota, duke dalë jashtë protokollit, shkoi të ambasadori rus dhe i tha:“ Të lutem ndaloni!”.

Më pas Papa i kishte kërkuar kardinalit Parolin, pas njëzet ditë lufte, t’i dërgonte Putinit mesazhin se ishte i gatshëm të shkonte në Moskë, kërkesë për të cilën nuk është marrë asnjë përgjigje dhe vazhdon ende këmngulja për një takim me Putinin.

Papa Franncesku tha se pavarësisht gatishmërisë së tij, ai thotë se Putini ndoshta nuk mundet dhe nuk dëshiron ta bëjë këtë takim.

“Por kaq shumë brutalitet, si mund të mos e ndalosh? Njëzet e pesë vjet më parë ne përjetuam të njëjtën gjë me Ruandën”, tha Papa.

Shumë njerëz kanë kërkuar dhe një gjest simbolik të Papa Françeskut për të bërë një vizitë në Ukrainë, por përgjigja e tij ishte e qartë:

“Unë nuk do të shkoj në Kiev tani për tani. Dërgova kardinalin Michael Czerny, dhe kardinalin Konrad Krajeëski ,që shkuan atje për herë të katërt. Por ndjej se nuk duhet të shkoj. Së pari duhet të shkoj në Moskë, pikë së pari së pari duhet të takoj Putinin. Unë bëj atë që mundem, nëse Putini e hap derën…”

Para intervistës, Papa Françesku, 85-vjeçar, nuk ka përmendur në mënyrë specifike Rusinë apo Putinin, prej nisjes së konfliktit më 24 shkurt.

Megjithatë, ai nuk ka lënë dyshime se cilën palë kritikon, duke përdorur shprehje si agresion i paarsyeshëm, pushtim si dhe ka përmendur se i vuan mizoritë kundër civilëve.