Bota

Papa Françesku: “Vaksinohuni, është një akt dashurie”!

Meqenëse e gjitha bota ndodhet në fushatën e vaksinimit kundër COVID-19, Papa Françesku i ka ftuar të gjithë të vaksinohen.

Falë Zotit dhe punës së shumë njerëzve sot ne kemi vaksina për të na mbrojtur nga COVID-19. Këto japin shpresën për t’i dhënë fund pandemisë, por vetëm nëse ato janë të disponueshme për të gjithë dhe nëse bashkëpunojmë me njëri-tjetrin.

Sipas kreut të Vatikanit, vaksinimi është një akt dashurie dhe një mënyrë e thjeshtë për t’u kujdesur për të tjerët.

Të vaksinohesh, me vaksina të autorizuara nga autoritetet kompetente, është një akt dashurie. Dhe të ndihmosh për të siguruar që shumica e njerëzve të vaksinohen është një akt dashurie. Vaksinimi ndaj nesh është një mënyrë e thjeshtë por e thellë për të promovuar të mirën e përbashkët dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, veçanërisht më të prekshmit.

Ju rikujtojmë, se Policia italiane konfiskoi para disa ditësh një zarf i cili i ishte drejtuar Papa Françeskut, që përmbante brenda tij tre plumba pistolete. Sipas autoriteteve, zarfi u kap në një strukturë të klasifikimit të postës pranë qytetit verior italian të Milanos.

Punonjësit e postës thirrën policinë pasi skanuan zarfin, në qytetin e Peschiera Borromeo-s. Policia deklaroi për “Reuters” se zarfi ishte dërguar nga Franca dhe i drejtohej adresës “Papës, Vatikanit, në Sheshin e Shën Pjetrit”.

Gjithashtu, për të gjithë ju që ju ka shpëtuar si lajm, para pak ditësh, Papa Françesku u shtrua me urgjencë në spitalin “Gemelli” në Romë. Papa iu nënshtrua një operacioni të planifikuar për një deformim të zorrës së trashë   dhe ndërhyrja kirurgjikale u realizua me sukses.