Bota

Paqëndrueshmëria ruse, Gjermania përshpejton masat për të siguruar gazin!

Në Gjermani, kreu i rregullatorit të energjisë i kërkon qeverisë, të vazhdojë të marrë masa për të diversifikuar burimet e gazit. Kjo pasi “Gazprom”-i rus njoftoi se ka ndërprerë dërgesat përmes “Nord Stream 1” për një periudhe tre-ditore për shkak të punimeve të mirëmbajtjes. Presidenti i Agjencisë Federale të Rrjetit, Klaus Muller:

Duke pasur parasysh vendimin rus për të mos lejuar dërgesat e gazit përmes “Nord Stream 1” për momentin, terminalet e LNG, gazit natyror të lëngshëm, nivelet përkatëse të depozitimit dhe nevojat e konsiderueshme për kursime, po bëhen më të rëndësishme.

Prej kohësh, Gjermania mbetet e varur nga furnizimet me gaz rus, por pushtimi i Ukrainës bëri që menjëherë Berlini zyrtar të kërkonte sigurimin e burimeve të reja. Në pjesën më të madhe, aktualisht Gjermania po furnizohet me gaz natyror nga Norvegjia, Holanda e Belgjika. Sipas Agjencisë Federale të Rrjetit, rreth 2,900 gigavat orë gaz natyror iu dërguan nga këto vende, të enjten.

Autoritetet përgjegjëse në Gjermani kanë qenë të përgatitura për skenaret më të fundit të Moskës. Ministria gjermane e Energjetikës:

Në javët e kaluara shohim se Rusia nuk është më e besueshme dhe në përputhje me rrethanat, vijuam me masat për të forcuar pavarësinë nga energjia ruse. Në këtë mënyrë, tashmë jemi shumë më të përgatitur se disa muaj më parë.

Depot e gazit janë të mbushura në nivelin 84.3 për qind dhe synimi për të arritur në tetor një sasi gazi prej 85 për qind, pritet të arrihet që në ditët e para të shtatorit.

Ne po e monitorojmë situatën nga afër, në bashkëpunim të ngushtë me operatorët dhe Agjencinë Gjermane të Rrjetit Energjetik. Në tregun e gazit, gjendja është e tensionuar, por siguria e furnizimit, e garantuar. Edhe furnizimi me gaz nëpërmjet rrugëve të tjera, përveç linjave ruse, si edhe krijimi i kapaciteteve për gazin e lëngshëm, po ecën mirë.