Rajoni

Para referendumit në Serbi, kryeministri Kurti thërret seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës!

Për nesër në orën 14:00, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Kurti e dha njoftimin pas takimit me zyrtarë të komunitetit ndërkombëtar në Prishtinë. Përfaqësues të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian thanë sot se “me keqardhje pranuan vendimin e Qeverisë për të mos e lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi.

Ne i bëjmë thirrje Qeverisë, që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje e procese zgjedhore, në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Referendumi për ndryshimet e Kushtetutës së Serbisë do të zhvillohet të dielën, më 16 janar. Qytetarët serbë me shtetësi të dyfishtë do të mund të votojnë përmes postës e Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Komuniteti ndërkombëtar kërkon nga Kosova e Serbia, të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësojnë si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit e sundimit të ligjit.

I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë, të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet e të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Unioni. Eshtë e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.

Një ditë më parë, Albin Kurti u shpreh se “votimi në referendumin e një shteti tjetër, në një territor sovran, nuk është praktikë e pranueshme nga asnjë vend demokratik”. Serbët në Kosovë me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nënvizoi se “partia që drejton e sheh të papranueshëm mbajtjen e çdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës”.

Kushtetuta, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç paralajmëroi pasoja të mëdha e më të gjera, nëse nuk do të hapen qendrat e votimit në Kosovë.