Aktualitet

Para samitit të BE-së, shumica e europianëve pro zgjerimit të Unionit me të tjera vende!

Sipas një sondazhi të Parlamentit Europian, 58% e qytetarëve të Bashkimit Europian, besojnë se Unioni duhet të pranojë anëtarë të rinj, sa më shpejt. Gjithashtu, besojnë se së shpejti, lufta në Ukrainë do të ndikojë në jetën e tyre ose tashmë ka një ndikim në standardin e tyre të jetesës. Rreth 40% e të anketuarve vlerësuan se ky standard është përkeqësuar ose do të përkeqësohet më tej vitin e ardhshëm. Përfundimet publikohen përpara samitit dy-ditor të liderëve kryesorë të BE-së në Bruksel, që nis nesër. Ndër të tjera, aty do të shqyrtohet përcaktimi i statusit kandidat në BE i Ukrainës e Moldavisë, pas rekomandimit nga Komisioni Europian.

Në solidaritet me Ukrainën e pushtuar nga Rusia, udhëheqësit e BE-së po analizojnë lëvizjen shumë simbolike edhe pse pranimi në Bllok është proces politikisht i gjatë e juridikisht i ndërlikuar.

Sllovakia e mori statusin e kandidatit në vitin 1999 dhe u bë anëtare e BE-së më 2004-ën. Turqisë iu dha në të njëjtin vit, por ende nuk është vend anëtar.

Për 17 vjet, Maqedonia e Veriut ka qenë kandidate për anëtarësim në BE e vetëm në korrik të 2020-ës, Komisioni dha miratimin në parim për negociatat e anëtarësimit. Por, për Shkupin nuk përfundoi me kaq, pasi ishte Bullgaria që i vuri veto, për shkak të përplasjeve mbi çështje të karakterit historik.

Sofja ka patur ankesa lidhur me të drejtat e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut, edhe pse pikërisht sot, mosmarrëveshjet morën një kthesë pozitive. Ish-kryeministri bullgar, Bojko Borisov, kryetar i partisë opozitare GERB, i dha mbështetje propozimit francez për zgjidhjen e çështjes e zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Maqedonisë së Veriut. Me këtë përfiton edhe Shqipëria, duke qenë se BE-ja nuk i ndan të dy vendet.

Borisov e vlerësoi si “shumë të mirë” propozimin francez e vuri në dukje se “i përmban të gjitha kërkesat e palës bullgare”.

Teksti është shumë i mirë e adreson gjithë frikën, ankthet dhe çdo gjë që shqetëson Bullgarinë. Çfarë tradhtie mund të ketë në atë që të dy kombet të jenë në të njëjtin komunitet? Në vend që të debatojnë në rrjetet sociale, a duhet të përqafohen brezat e rinj?

Liderët e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut, tre vendeve që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor, konfirmuan sot vendimin për t’iu bashkuar nesër në Bruksel samitit të BE-së me rajonin.