Love & Sex

Para se të nisni bashkëjetesën, ja çfarë duhet të diskutoni me partnerin tuaj…

Vendimi për të bashkëjetuar është një hap shumë i madh në një lidhje, prandaj sado qejf të duket kur mbyllni sytë dhe imagjinoni, kthehuni me këmbë në tokë. Përtej dëshirës, pasionit dhe faktit që do ta shihni dhe shijoni njëri-tjetrin 24/7 duke ndarë thuajse gjithçka bashkë, realiteti herët a vonë na godet të gjithëve, prandaj bëjmë mirë ta kuptojmë sa më parë se të ndash jetën brenda një shtëpie me dikë s’është dhe aq e thjeshtë.

Që bashkëjetesa në çift të funksionojë, si çdo gjë tjetër kërkon “rregulla”. Thënë më butë, ca diskutime serioze që ju shpëtojnë nga debatet që s’i shmang dot sapo zgjohesh nga periudha e mjaltit. Për ç’lloj rregullash po flasim?

1. Pyesni veten pse doni të jetoni bashkë?

Para se të nisni një tjetër etapë në jetën tuaj, qartësoni veten dhe partnerin pse po e merrni një vendim të tillë. Është një përfitim i shtuar për çiftin tuaj apo nevojë për këtë lidhje? Shumë njerëz mendojnë se duke nisur bashkëjetesën, lidhja do t’i përmirësohet, por në fakt nuk ndodh kështu. Të bashkëjetosh do të thotë më shumë përpjekje, më shumë tolerancë, më pak egoizëm dhe më shumë qëllime të përbashkëta.

2.Financat

Para se të jetoni bashkë, është mirë të bëni një diskutim të gjatë prej të rriturish në lidhje me menaxhimin e parave. Jeni të dy në punë, por tani duhet të mendoni sesi do ndahen paratë. Sa do të jetë kontributi i secilit për buxhetin e përbashkët, për kursimet, për shpenzimet e shtëpisë, etj, etj, etj. Ky diskutim i bërë para bashkëjetesës do t’ju kursejë shumë energji dhe zënka të paevitueshme.

3. Punët e shtëpisë dhe përgjegjësitë e secilit

Të jetosh me dikë kërkon përpjekje të vazhdueshme, kompromis dhe tolerancë. Eshtë shumë e shëndetshme që ti dhe ai të bëni një bisedë për ndarjen e punëve të shtëpisë, pazareve, gatimeve, apo kujdesin ndaj qenit/maces nëse keni.

4. Zakonet dhe veset që ju karakterizojnë

Si çdo njeri në botë, secili prej nesh ka diçka që e dallon në rutinën e tij të përditshme. A përputhen zakonet tuaja të gjumit? A do ta ndryshonte bashkëjetesa jetën tuaj seksuale? Sa të fiksuar pas pastërtisë jeni ju? Po ata? Bëni mirë ta diskutoni paraprakisht që surpriza të mos jetë aq e pakëndshme për partnerin/en.

5. Koha që do kaloni vetëm dhe jeta sociale

Balanca mes kohës që do kaloni bashkë dhe kohës vetëm apo me miqtë përkatës është një tjetër temë shumë e rëndësishme diskutimi. Flisni para se të bashkëjetoni për interesat, dëshirat dhe kohën individuale të secilit. Vetëm se do të nisni të jetoni brenda një shtëpie, s’do të thotë se s’keni nevojë të qëndroni me veten apo me miqtë tuaj.

6. Përgatituni edhe për skenarin më të keq!

Larg qoftë, por gjërat ndodhin! Para se të bashkëjetoni mendoni edhe për skenarin më të padëshirueshëm: ndarjen! Si do të ndani gjërat e përbashkëta? Po me shtëpinë çdo të bëhet? Të gjitha këto duhen menduar para se hapi i madh të konkretizohet për të shmangur humbje parash, energjish dhe ngarkesë mendore.