Bota

Para zgjedhjeve të 14 Majit në Turqi, rivali i Erdoganit, Kılıçdaroglu: Fund autoritarizmit!

Vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale e parlamentare, më të rëndësishme të dekadave të fundit në Turqi, një bllok opozitar i përbërë prej gjashtë partish politike është paraqitur para mijëra mbështetësve, në një marshim të mbajtur në qytetin e Stambollit. Duke folur para një turme të madhe, kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroglu deklaroi:

Ju do ta rrëzoni administratën autoritare, përmes mjeteve demokratike.

Sipas tij, “një qeveri demokratike në shteti turk do të ishte një dhuratë për botën e politikës”. Sondazhet aktuale tregojnë se ai gëzon më shumë mbështetje se presidenti aktual i vendit, Recep Tayyip Erdgoan. Duke iu referuar presidencës ekzekutive të Erdoganit, Kılıçdaroglu theksoi:

Ne nuk do ta lëmë Republikën e Turqisë në duart e një burri!

Po ashtu, kandidati opozitar është zotuar për të rikthyer sundimin e rendit e të ligjit në Turqi. Marshimet në Stamboll, tradicionalisht konsiderohen të rëndësishme në fushatat zgjedhore.

Po sot, edhe kreu i shtetit Erdogan pritet të jetë pjesë e një marshimi me mbështetësit e tij, gjithashtu në qytetin e Stambollit.

Nuk ka dyshime se Recep Tayyip Erdgoan është duke u përballur me testin më të vështirë zgjedhor në 20 vitet e fundit, kjo edhe për shkak të krizës ekonomike, si dhe tërmeteve shkatërruese që u regjistruan në fund të muajit shkurt, në lindje të shtetit.

Fushata zgjedhore ka qenë mjaft e ashpër para zgjedhjeve, pasi Erdogan e ka akuzuar opozitën për tradhti e për mbështetje të terrorizmit. Në anën tjetër, opozita hedh akuza se kampi i Erdoganit është duke planifikuar një luftë kibernetike për ta diskredituar Kılıçdaroglun, duke përdorur foto e video të rreme. Të dyja palët i hedhin poshtë akuzat e njëra-tjetrës.

Erdogan, i cili zotëron pushtet gati absolut do të kërkojë një mandat tjetër në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 14 majit.  69-vjeçari ka udhëhequr Turqinë nga viti 2003, fillimisht si kryeministër, ndërsa nga 2014-ta, si president. Pasi i mbijetoi një përpjekjeje për grusht-shteti në vitin 2016, i ka rritur dukshëm kompetencat e veta. Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim është në pushtet nga nëntori 2002. Rrënjët i ka në Islamin politik, por ka krijuar aleancë dhe me Partinë Lëvizja Nacionaliste, e ekstremit të djathtë.