Aktualitet

Paraja elektronike, BSH me projektrregullore të re!

Banka e Shqipërisë ka hartuar projektrregulloren e re “Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të parasë elektronike”.
Projektrregullorje është një hap i mëtejshëm drejt ngritjes së një kuadri rregullator të posaçëm për këto institucione, të cilat po tërheqin një interes në rritje për investitorët, sidomos pas miratimit të ligjit të ri “Për shërbimet e pagesave”.

Sipas rregullores kapitali minimal fillestar për institucionet e parasë elektronike është 45 milion lekë. Nëse institucioni i parasë elektronike ushtron vetëm veprimtarinë e emetimit të parasë elektronike, kërkesa për kapital rregullator do të jetë në çdo kohë të paktën sa 2% e tepricës mesatare të parasë elektronike. Për veprimtari të tjera, veç emetimit të parasë elektronike, do të kërkohet kapital rregullator shtesë, në mënyrë të përshkallëzuar.

Institucionet e parasë elektronike duhet të krijojnë edhe sistemin e administrimit të rrezikut të likuiditetit, që përfshin minimalisht strategjinë dhe politikat për administrimin e rrezikut të likuiditetit, strukturën organizative të krijuar për administrimin e rrezikut të likuiditetit, sistemin e kontrollit të brendshëm, sistemin e administrimit të informacionit, etj.

Gjithashtu rregullorja parashikon sqarime edhe me investimet e fondeve të marra nga klientët (në këmbim të parasë elektronike dhe nga përdoruesit e shërbimeve të pagesave) në mënyrën që të sigurojnë disponueshmërinë e shumave për ekzekutimin e transaksioneve të pagesave.

Raporti i aktiveve me maturitet të mbetur deri në një muaj ndaj detyrimeve me maturitet të mbetur njëmujor, nuk duhet të jetë më pak se 100% dhe raporti i aktiveve me maturitet të mbetur deri në tre muaj ndaj detyrimeve me maturitet të mbetur tremujor, nuk duhet të jetë më pak se 100%.