Bota Rajoni

Paralajmërimi izrealit: Grupi Wagner është nisur në Kosovë

Kompania izraelite “Terror Alarm”, ka reaguar në lidhje me tensionet që janë zhvilluar së fundmi në veri, ku përmes një postimi thekson se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”.

Kompania është e njohur për paralajmërimet e autoriteteve për sulmet terroriste dhe parandalimin e shumë prej tyre në kulmin e sulmeve të ISIS në Evropë të viteve 2014-2017.

Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram.

Postimi në llogarinë e Twitterit, “Terror Alarm” e bëri mbrëmë, pas eskalimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, ku mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.

Wagner i themeluar nga krahu i djathtë i Putinit, Yevgeny Prigozhin, ka qenë mjaft aktiv në vende si Mali, Sudani dhe Republika e Afrikës Qendrore, por së fundi u përfshi edhe në luftën e Ukrainës.

Së fundi, ai u vendos në qendër të vëmendjes edhe për tentativat për rekrutim në Ballkanin Perëndimor, përmes lidhjeve me organizatat e krahut të djathtë që operojnë në këtë rajon. Kjo ngjalli në janar reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që vendosën ndaj tij sanksione shtesë.

I përshkruar shpesh si një ushtri mercenare, Wagneri u krijua në 2014-tën, pikërisht në vitin kur Rusia aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë.