Aktualitet

Parandalimi i pastrimit të parave, debate në Kuvend/Balla i kërkon Bashës kallëzimin e Berishës për Toyota Yaris!

Lufta ndaj pastrimit të parave të mafias nis nga salla e Kuvendit! Kjo u deklarua sot nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndërsa iu bëri thirrje deputetëve, të pranojnë vetting-un në politikë. Lidhur me ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave”, Basha tha se “përpara se të pastrohet në mënyrë të ndjeshme nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, së pari, korrupsioni duhet të shfaroset nga salla e Parlamentit”.

Kjo omerta merr fund kur në këtë sallë të pranojnë se kjo e keqe, që sot pretendoni të ndaloni me këto propozime në ligj e ka origjinën te e keqja më e madhe që ka kapur shtetin. Te korrupsioni, i cili përpara se të pastrohet në mënyrë të ndjeshme nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duhet të shfaroset së pari nga kjo sallë. Për përballjen me këtë gangrenë të rëndë, ka një rrugë, një zgjidhje, një pikënisje: Pranoni për veten tuaj, pranoni për politikanët, atë që kërkoni të bëni të detyrueshëm për noterët që keni sjellë si propozim, në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave: vettingu-n.  Për të ndalur pastrimin e parave dhe deformimet e panumërta që pandëshkueshmëria, korrupsioni dhe lidhjet me krimin kanë prodhuar në ekonomi e në shoqëri, duhet të fillojmë me pastrimin e politikës!

Në Kuvend, kryetari i grupit socialist, Taulant Balla, i kërkoi Bashës të kallëzojë penalisht Berishën, i cili e akuzon për çështjen “Toyota Yaris”.

Basha të kallëzojë Berishën, nëse Basha ka bashkëpunuar me mua në atë çështje. 30 vjet Sali Berisha çfarë s’ka thënë për këtë pjesë të sallës, tani mbajeni me shëndet, ka kohë të merret me ju. Dhe për gjërat që me të padrejtë na keni akuzuar ne, tani dëgjoni Saliun që t’jua thotë. Meqë po flasim për pastrim parash, zotëria që bën zhurmë ka qenë avokat (Gazment Bardhi) në gjyqin e humbur nga z. Basha. Sa i përket ligjit, ju ftoj ta votoni, lidhet me vetting-un e politikanëve. Kemi forcuar konceptimin e personit të ekspozuar politikisht dhe personat e lidhur me të. Pse nuk e votoni ju këtë?

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja i kërkoi deputetëve të votojnë projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Sipas tij, “me rregullimet e propozuara do të ngushtohen hapësirat për transaksione të dyshimta. Po ashtu, zvogëlohet rreziku i financimit të terrorizmit”. Manja theksoi se ndër të tjera është pjesë e një pakete ndryshimesh me rekomandime, mes detyrimeve për hapjen e negociatave.