Aktualitet

Parandalimi i përmbytjeve, vjet u shpenzuan 11 milion dollarë për 28 objekte!

Në muajt e dimrit, vitet e fundit ka patur ripërsëritje me situatën e përmbytjeve të tokave. Zonat më të prekura janë Lezha e Shkodra, ku sipas ekspertëve, shpesh herë kullimi i dobët apo ndryshimi i formateve të përdorimit të tokës, vlerësohen arsyet e rritjes së riskut. Si masë parandaluese nga përmbytjet, me Buxhetin e vitit 2022, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka investuar rreth 11 milion dollarë për rehabilitimin e kanaleve ujitëse, argjinaturave e hidrovoreve.

Sipas raportit të Monitorimit për Buxhetin 2022, në total janë investuar 1.1 miliardë lekë për 43 objekte, nga të cilat, 28 përfunduan, ndërsa 15 janë në vazhdim e përfundojnë brenda vitit.

Konkretisht, në ujitje u financuan 15 objekte me vlerë 223 milion lekë, nga të cilët 13 përfunduan, ndërsa dy përfundojnë në vitin 2023. Nëpërmjet këtyre investimeve është mundësuar rehabilitimi i kanaleve kryesor ujitës, për përmirësimin e ujitjes në rreth 10 mijë ha, duke garantuar furnizimin me ujë të kanaleve sekondarë në administrim të bashkive Korçë, Elbasan, Vlorë, Lezhë e Vau i Dejës.

Në mbrojtje nga përmbytja janë financuar 24 objekte, me vlerë 595 milion lekë, nga të cilët 13 kanë përfunduar, ndërsa 11 përfundojnë në vitin 2023.

Sipas raportit të Ministrisë së Bujqësisë, me këto investime është mundësuar rehabilitimi i rreth 15 km argjinatura për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytja të tokave bujqësore e zonave të banuara, më të ekspozuara nga rreziku i përmbytjeve lumore.

Kryesisht në lumin Buna në Bahçallëk, Dajç e Daragjat, në lumin Kir në fshatin Bardhaj, në bashkinë Shkodër, në lumin Osum në Uznovë, Arrëz dhe Gegë, në bashkitë Berat e Kuçovë, në lumin Vjosa në Bishan, Kafaraj e Selenicë, në bashkitë Vlorë, Fier dhe Selenicë, në lumin Shkumbin, në Muriqan dhe Elbasan, në bashkitë Cërrik e Elbasan, në lumin Fan, në fshatin Rreth i Epërm, në bashkinë Mirditë, etj.

Janë financuar 4 hidrovore me vlerë 253 milion lekë, nga të cilët dy kanë përfunduar, ndërsa dy përfundojnë në vitin 2023. Në raport theksohet se në dy hidrovorë: Balldre në Lezhë e Drojë në Kurbin, kanë përfunduar punimet për rehabilitimin.

Ndërsa për rikonstruksionin e plotë të hidrovorit të Karavastasë që kullon rreth 7 mijë ha në bashkitë Divjakë e Lushnje dhe hidrovorit të Akërnisë në Vlorë që kullon 4 mijë e 600 ha (ku dhe po ndërtohet Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës), punimet do të përfundojnë gjatë vitit 2023.

Me shpenzimet operative, rreth 426 milion lekë u mundësuan: mirëmbajtja/përmirësimi i kullimit në rreth 50 mijë ha (si proces ciklik i mirëmbajtjes vjetore), nëpërmjet lëvizjes së rreth 1.8 milion m3 dhera (në rreth 250 km kanale kryesor); përmirësimi i ujitjes në rreth 25 mijë ha dhe vënia në funksion e veprave të marrjes së ujit për skemat kryesore të ujitjes.

Gjatë periudhave me reshje shiu, ministria e Bujqësisë thekson se janë kryer remontet vjetore të hidrovoreve, si dhe mbajtja në funksionim të plotë të 27 hidrovoreve./Monitor