Aktualitet

Parandalohet krimi në Vlorë, arrestohet 27-vjeçari me pistoletë e kokainë!

Një 27-vjeçar nga Fieri u arrestua nga policia pasi po udhëtonte drejt Vlorës i armatosur për t’u konfliktuar me familjarët e bashkëshortes. I riu u ndalua teksa lëvizte me një makinë tip “Porche”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga agjentët. Gjatë kontrollit në mjet, iu gjet një pistoletë tip “Zastava” dhe një sasi kokaine, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.

Nga hetimet paraprake, mësohet se bashkëshortja e të riut ishte larguar nga banesa dhe prej disa kohësh jetonte me familjarët e saj në qytetin bregdetar.

27-vjeçari akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Edhe në Gramsh, ndërhyrja e policisë në fshatin Grabovë e Sipërme parandaloi një ngjarje të rëndë në familje. Në pranga ra një 53-vjeçar i denoncuar nga familjarët. Për motive të dobëta,  i arrestuari dhunoi fizikisht e kanosi me armë zjarri bashkëshorten dhe fëmijët, ndërsa rezulton me precedentë të mëparshëm për vjedhje, narkotikë e armëmbajtje pa leje. Në banesë iu gjetën e sekuestruan pesë armë zjarri, një gjahu dhe municion luftarak.

Bazuar në informacionin e marrë për shtetasin që posedonte armë, në ndihmë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh kanë shkuar dhe shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të mundshme kriminale në familje.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grabova”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. S., 53 vjeç, banues në fshatit Grabovë e Sipërme, Gramsh, me precedent të mëparshëm kriminal, në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e vjedhjes.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tyre, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri, për motive të dobëta.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.