Politikë

“Paratë e korrupsionit i ka transferuar për lobim”, Ilir Meta paditet në SPAK

Ish-deputeti Halit Valteri ka depozituar sot një padi në Prokurorinë e Posaçme ndaj Presidentit aktual Ilir Meta, të cilin e akuzon për korrupsion, fshehje të ardhurash e shpërdorim detyre.

Bashkë me Kreun e Shtetit, Valteri ka ngritur padi edhe ndaj kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, ish-deputetit Vangjel Tavo si edhe Administratorit të një kompanie me seli në Qipro.

Padia vjen pas lajmit të publikuar në gazetën austriake e cila denonconte ferën 700.000$ që presidenti Meta kishe paguar për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inagurimit të presidentit amerikan Donald Trump.

Valteri thekson se është vënë në dijeni dhe ka të dhëna të cilat ngrenë dyshime të arsyeshme se nga ana e tyre janë konsumuar veprat penale.

“Duke marrë shkas nga shumë denoncime të ndryshme të bëra publike, ndër to në vitin 2018 nga gazeta prestigjoze Mother Jones dhe së fundmi nga gazeta e mirënjohur austriake Kronen Zeitung është konstatuar se një parti politike jo pak e rëndësishme në Shqipëri shpeshherë ka lobuar për kauza të rreme vetëm për faktin që me anë të parave të financuara të disinformojë zgjedhësit shqiptarë duke i bërë të mendojnë se kanë përkrahjen e Qeverisë Amerikane.

Çfarë është më e rëndësishmja dhe që përbën veprën penale, është se këto financime janë bërë nga kompani Offshore nga shteti i Qipros në sistemet bankare të cilat nuk të kërkojnë burimin e të ardhurave madje të japin mundësinë ligjore për të fshehur burimin real të të ardhurave dhe financuesit e tyre. Duke administruar kontratat e lobimit në favor të LSI, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kemi evidentuar gjithashtu se këto shpenzime nuk janë deklaruar as në bilancet e Lëvizjes Socialiste për Integrim për vitin 2017 dhe as në Deklarimin Vjetor Periodik të subjekteve deklaruese, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi për vitin 2017.

Referuar këtyre rrethanave krijohet dyshimi i arsyeshëm se politikanë të përfolur shpeshherë për afera korruptive siç është rasti i Ilir Metës me çështjen CEZ- DIA apo edhe në çështjen e shumë përfolur të video-rregjistrimit Dritan Prifti etj, kanë përdorur para të përfituara nga aferat korruptive duke i pastruar dhe futur në sisteme bankare në rrugë të jashtëligjshme për t‘i përdorur ato për qëllime dezinformimi për votuesit shqipëtarë.“ -thuhet në padi