Art & Kulturë Politikë

Parku i Butrintit, rrëzohet dekreti i Metës, mazhoranca: Privati mbron më mirë se shteti

Dekreti i presidentit Ilir Meta për marrëveshjen për Administrimin e Parkut të Butrintit është rrëzuar sot në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.

Shqyrtimi i Dekretit të presidentit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e parkut kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit” u shoqërua me debate mes deputetes Ina Zhupa dhe drejtuesit të komisionit, Eduart Shalsi.

Në qershor Meta riktheu për shqyrtim marrëveshjen për administrimin e parkut të Butrintit. Meta është shprehur se kjo marrëveshje cënon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

Presidenti tha më parë se praktika e ndjekur nga ekzekutivi dhe Kuvendi i Shqipërisë, rezulton se nuk ka realizuar dhe nuk ka siguruar mendimin e ekspertizës së pavarur vendase që ka njohuri të thelluara mbi Parkun Kombëtar të Butrintit, nënzonave dhe siteve arkeologjike të tij.

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti në mbrojtje të vendimit deklaroi se privatët mund të kenë në dispozicion më shumë fonde për të investuar në ekspertizë më të mirë. Ajo e cilësoi idenë se shteti mbron më mirë se privat një atavizëm (mendim i të kaluarës).

“Shteti po krijon një formë administrimi që synon rritjen e donacioneve. Krijimi i fondacionit të posaçëm bën të mundur që të ardhurat të përdoren për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ky nen nuk vendos kufizime për formën e subjektit që duhet t’i kalojë në administrim një pasuri e tillë. Marrëveshja e administrimit kalon për miratim në Kuvend. Konventa nuk vendos asnjë kusht për pjesëmarrjen e shtetit në organet vendimmarrëse të fondacionit. Kjo për faktin se procesi i ruajtjes është i orientuar drejt realizimit të objektivave.

Në shtetet diktatoriale mund të mos ketë fare forma të subjekteve private të interesuara për menaxhimin e pasurive kulturore. Kjo nuk do të thotë se menaxhimi është më i mirë se në vendet perëndimore. Privatët duke pasur më shumë fonde në dispozicion kanë mundësi të investojnë në ekspertizë më të mirë. Ideja se shteti mbron më mirë pasuritë kulturore është një atavizëm”, tha ajo.