Bota

Parlamenti Europian i jep “OK” certifikatave dixhitale të COVID-19!

Parlamenti Europian miratoi sot vendimin për lëshimin e certifikatave dixhitale të COVID-19. Përmes tyre, Blloku Europian synon të lehtësojë udhëtimet. Sipas vendimit të PE-së, “lëshimi i tyre do të bëhet duke filluar më 1 korrik 2021”.

Kryetari i Komitetit për Liritë Qytetare në Parlamentin Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar:

Eshtë inkurajues fakti që disa vende tashmë po lëshojnë certifikata. Ju bëj thirrje vendeve anëtare të BE-së që të përmbahen nga vendosja e kufizimeve shtesë ndaj pandemisë, përveç nëse ato janë shumë të nevojshme.

Certifikatat pritet të jenë falas dhe do të lëshohen nga shërbimet shëndetësore të vendeve anëtare. Certifikatat do të përmbajnë një kod, të përfshira në sistem dixhital, si edhe në letër.

Aty do të përfshihen të dhënat nëse personi që e posedon është i vaksinuar, ka një rezultat negativ të testit apo është shëruar nga COVID-19. Gjithashtu certifikata nuk do të jetë parakusht për lëvizjen e lirë e nuk do të konsiderohet dokument udhëtimi.

BE-ja do të parandalojë mundësinë që certifikatat të falsifikohen. Gjatë bisedimeve mes institucioneve të Unionit është rënë dakord që vendet anëtare të mos vendosin kufizime të udhëtimit për ata që kanë një certifikatë, përveç rasteve kur është e nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik.

Certifikatat vlejnë vetëm për udhëtim brenda vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Ato do të lëshohen për personat e vaksinuar me njërën nga vaksinat e miratuara nga Agjencia Europiane e Medikamenteve (EMA).

Deri tani, vaksinat e Pfizer/BioNtech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson& Johnson janë miratuar për përdorim në territorin e BE-së. Disa vende anëtare si Hungaria e Sllovakia përdorin edhe vaksinën ruse Sputnik-V, që ende nuk është miratuar nga Rregullatori Europian.