Bota

Parlamenti Europian miraton embargon për gazin e naftën ruse!

Parlamenti Europian sot i dha dritën jeshile rezolutës për embargon e plotë e të menjëhershme të Bashkimit Europian mbi importet ruse të naftës, gazit, qymyrit e lëndëve djegëse bërthamore. Dokumenti u miratua me 513 vota pro, 22 kundër e 19 abstenime. Aty kërkohen më shumë sanksione kundër Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë dhe ndryshimi në lidhje me embargon u mbështet nga 413 eurodeputetë, 93 kundërshtuan e 46 abstenuan.

Në Ukrainë po rritet nga dita në ditë numri i civilëve të vrarë, trupat e të cilëve u zbuluan pas largimit të rusëve nga zonat përreth Kievit, si në Buça. Deri tani konfirmohen 320 viktima dhe Ukraina akuzon Rusinë, por kjo e fundit i hedh poshtë akuzat dhe pretendon se “ky është një inskenim i Kievit e Perëndimit”. Lidhur me masakrën, autoritetet ukrainase tregojnë se “njerëzit janë përpjekur të varrosin trupat e pajetë që të mos copëtoheshin nga qentë”.

Ndërkaq, vazhdojnë luftimet në Ukrainë ku pas qytetit Mariupol, edhe i Odesës po shkon drejt shkatërrimit. Presidenti Zelensky tha se Mariupoli numëronte 500 mijë banorë ndërsa tani ka 100 mijë. Ndërkohë, Moska zyrtare vuri në dukje se furnizimi me armë i Kievit nuk ndihmon dialogun për të arritur një marrëveshje. Ekonomia e Ukrainës është rrënuar nga luftimet e ashpra dhe referuar deklaratave për BBC-në të kryeministrit Denis Shmygal, “deri tani, dëmet llogariten në më shumë se 1 trilion dollarë”.

Nesër zhvillohet takimi i Zelensky-t me shefen e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cila do të udhëtojë drejt kryeqytetit ukrainas.
Ushtria ukrainase disponon të dhëna se “trupat ruse po riorganizohen dhe janë gati të nisin një ofensivë në rajonin Donbass, në Ukrainën lindore.

Përpjekjet kryesore të forcave ruse janë përqëndruar në tentativën për të thyer mbrojtjen ukrainase në Donjeck.

Në një tjetër zhvillim po në lidhje me luftën e pasojat e saj, Austria njoftoi vendimin për dëbimin e 4 diplomatëve austriakë.