Rajoni

Parlamenti Europian voton sot raportet për Kosovën dhe Serbinë!

Sot në seancën plenare të Parlamentit Europian do të votohen raportet për Kosovën, Serbinë e Bosnje-Hercegovinën, të miratuara para një muaji në Komisionin e Politikës së Jashtme. Votimi pason debatin e zhvilluar një natë më parë. Sa i përket Kosovës, dominuan thirrjet që të liberalizohen vizat e të ketë përparim në dialogun me Serbinë dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Për Kosovën, dokumentin e ka përgatitur deputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila tha se “mirëpret qëndrimet e Prishtinës rreth luftës në Ukrainë e sërish bëri thirrje të liberalizohen vizat për qytetarët”.

Qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se unë personalisht dhe Parlamenti Europian, vazhdimisht kemi ngritur nevojën për liberalizimin e menjëhershëm të vizave, gjë që është zgjatur së tepërmi pavarësisht faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet.

Me përjashtim të disa deputetëve nga radhët e të djathtës ekstreme, shumica e ligjvënësve mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën e kjo pritet të jetë edhe në versionin përfundimtar të përmbajtjes së raportit që votohet sot. Sipas deputetëve, do të jetë sfidues vetëm votimi rreth një amendamenti ku kërkohet që marrëveshja gjithëpërfshirëse mes Kosovës e Serbisë, që duhet të dalë nga dialogu, të përfshijë edhe njohjen reciproke.

Kjo kërkesë u miratua në Komisionin e Politikës së Jashtme edhe pse e kundërshtoi raportuesi për Serbinë, sllovaku Vladimir Biliçik, vendi i të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Tani ka përpjekje që formulimi që përfshin njohjen reciproke, të hiqet gjatë votimit në seancën plenare.

Në raport, po ashtu përsëritet thirrja që pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Ato janë Spanja, Sllovakia, Rumania, Qipro e Greqia. Nga Serbia do të kërkohet që të mbështesë qëndrimet e BE-së ndaj Rusisë e agresionit kundër Ukrainës, përfshirë sanksionet që Bashkimi Europian i ka vendosur Moskës.

Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
Të tilla rezoluta të Parlamentit Europian e që në formën e raporteve individuale për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor miratohen një herë në vit, kanë një rëndësi politike, por ato nuk janë detyruese për vendet anëtare të BE-së.