Rajoni

Parlamenti i Serbisë miraton raportin për dialogun me Kosovën!

Me 205 vota pro e 57 kundër, sot Parlamenti i Serbisë miratoi raportin për dialogun me Kosovën. Eshtë fjala për dokumentin me titull: “Raporti për procesin e negociatave me institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”. Raporti është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes e realizimit të negociatave, përfshirë: asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, dhomat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshëm, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.

Lidhur me përmbajtjen e tij, zgjati dy ditë debati në Parlamentin e Serbisë. Gjatë prezantimit, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, tha se “nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Më tej, vuri në dukje se “duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën” dhe se “politika reale nuk mund të bazohet vetëm në mite”.

Subjekti më i madhe opozitar në Serbi, Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, nuk votoi për miratimin e raportit. Zyrtari i lartë i kësaj partie, Borko Stefanoviç, u tha gazetarëve se “raporti nuk përmban propozime për zgjidhjen e problemit të Kosovës”. Ndërkohë, në fjalën e tij në foltore, deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nënvizoi se “Kosova është e pavarur nga Serbia”.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe dy vjet më pas, më 2010-ën, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se “pavarësia e saj nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”. Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 2011 në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Kosova thotë se ky akord duhet të përfshijë njohjen reciproke mes palëve, por Serbia nuk pranon, duke insistuar vetëm në “zgjidhje kompromisi”.