Aktualitet Politikë

Partia e Lirisë kundër Prokurorisë për kallëzimin e kryetarit Ilir Meta!

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaroi sot se “Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e çështjes penale për kallëzimin e bërë nga kryetari i Partisë së Lirisë ndaj anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve”. Për Vasilin, vendimi, “shkel në mënyrë flagrante në çdo nen të tij ligjin, si në procedurë ashtu edhe në përmbajtje”.

Veprimet e prokurorisë kanë qenë skandaloze dhe të paimagjinueshme. Prokuroria ka arritur deri aty sa nuk ka dëgjuar fare palën akuzuese, por ka dëgjuar vetëm palën e akuzuar, anëtarët e Autoritetit të Dosjeve dhe vetëm mbështetur në dëshmitë e tyre ka vendosur mosfillimin. Duke mos regjistruar procedimin penal, Prokuroria as nuk mori dokumentet, që shumë qartë provonin shpërdorimin e detyrës, mashtrimin dhe manipulimin e anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve.

Eshtë shkelje shumë e rëndë penale fakti i provuar totalisht që pa bërë hetim dhe verifikim për identitetin e z.Meta, Autoriteti i Dosjeve dërgoi informacion zyrtar duke përcaktuar emrin e z.Ilir Meta të lidhur me dosjet e sigurimit, pa pasur asnjë lloj dokumenti, që provonte gjeneralitetet e z.Meta.

Eshtë fakt i provuar botërisht, që megjithëse ligji nuk e lejonte është bërë verifikim lidhur me z.Ilir Meta dhe konkluzionet i janë përcjellë nga Autoriteti i Dosjeve, me informacion shkresor, Kuvendit të Shqipërisë me shkresën me Nr.1275/1 në datën 26 korrik 2022.

Eshtë fakt që edhe sot e kësaj dite, në shkelje e dhunim flagrant të ligjit, përfaqësuesit ligjor të z.Meta, avokatit Genc Gjokutaj nuk i janë vënë në dispozicion dokumentet nga Autoriteti i Dosjeve megjithëse i është kërkuar me shkresë zyrtare që në datë 14 shtator 2022 dhe me shkresë rikujtesë në 25 shtator 2022 dhe po ashtu nuk i janë dhënë dokumentet as nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilit i është drejtuar me kërkesë zyrtare, që në datë 25 shtator 2022.

Eshtë shumë e qartë, që ky vendim i Prokurorisë është nul pasi nuk ka respektuar asnjë nga detyrimet më themelore të ligjit si në procedurë dhe në përmbajtje. Mosfillimi i çështjes penale nga Prokuroria e Tiranës pa kryer asnjë hetim, mosdhënia e dokumenteve nga Autoriteti i Dosjeve avokatit në kundërshtim me ligjin, si edhe mosdhënia e dokumenteve edhe nga Kuvendi i Shqipërisë ndaj avokatit, tregon qartë kapjen prej fyti të drejtësisë dhe të gjithë institucioneve nga Edi Rama.

Vasili bëri të ditur se sot ankimohet vendimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Tiranë.