Sport

Partizani dhe Skënderbeu e mbyllin barazim/ 1 pikë në 2 ndeshje, pretendentët “harrojnë” se si fitohet!

Skënderbeu dhe Partizani kanë barazuar me shifrat 1-1 në Korçë pas një ndeshje mes të barabartësh dhe me mjaft tension e emocione në këtë javë të dytë të Superiores.

Pjesa e parë, megjithëse e luftuar, krijoi vetëm një rast të rrezikshëm, kur Tedi Cara goditi një goditje dënimi shumë bukur, por portieri i Skënderbeut, Bekim Rexhepi u përgjigj në mënyrë perfekte dhe devijoi topin në trekëndëshin e majtë të tij.

Edhe pjesa e dytë ishte me të njëjtin ritëm, por pati gola. Ishte Tedi Cara që u shfaq protagonist dhe i dribloi të gjithë, para se të merrte një pengim në zonë. Pasi e pa vetë në VAR, gjyqtari vendosi për penallti.

Stenio Junior e mori përsipër dhe nuk gaboi përballe portierit Rexhepi, duke tundur rrjetën në minutën e 56-të nga pika e 11 metrave. Me të nisur topi nga mesi i fushës Damchevski dhe Alban Hoxha nuk u morën vesh me njëri-tjetrin dhe i hapën rrugë Elvi Berishës për të shënuar golin e barazimit.

Pas këtyre dy rrjetave, protagonizmi i takoi Partizanit, por sërish skuadra e Ilir Dajës nuk arriti të marrë fitoren e parë në këtë edicion të Superiores. I kënaqur me siguri Skënderbeu me këtë rezultat, pasi i merr pikë një favoriti për titullin.