Gossip

Partizani hap fals ndaj Kastriotit, Laçi përmbys Teutën!

Ndaj Egnatias, Partizani krijoi iluzionin se “demat” ishin rikthyer më të fortë se kurrë, dukej sikur ndryshimi i stafit dhe afrimet e janarit ishin të gjetura, por ja që të kuqtë e kanë shumë të vështirë të ruajnë vazhdimësinë. Pikërisht atëherë kur nuk duhej, kur tre pikët ishin detyrim, ekipi i Mehmetit ndalet në një barazim pa gola përballë Kastriotit, ekipi i fundit në tabelën e klasifikimit. Ky hap fals është një sinjal i qartë që stafi i ri dhe lojtarët duhet të djersinin akoma më shumë për të shpëtuar këtë sezon, për të siguruar të paktën një vend në evropë.

Një fitore të madhe, një fitore me përmbysje, siguroi Laçi në transfertë përballë Teutës. Ekipi i Edi Martinit kaloi në avantazh që në minutën e 22-të falë një goli shumë të bukur të realizuar nga Aleksi. Kurbinasit u përgjigjën në limitet e pjesës së parë duke barazuar shifrat në 1-1.

Në pjesën e dytë, Guindo dhurojë një shoë personal ku me një “dopjetë” përmbysi ndeshjen duke i dhuruar Laçit avantazhin e dyfishtë.

Teuta u përpoq të rikthehej në lojë duke ngushtuar shifrat në 2-3 me Hebaj, sulmuesi goditi dhe traversën në minutat pasuese por vetëm kaq, pasi kurbinasit realizuan edhe golin e katërt me Deliun duke mbyllur llogaritë me bregdetarët.

Teuta pëson në këtë mënyrë humbjen e katërt radhazi, ndërsa Laçi falë këtij suksesi ngushton provizorisht në vetëm tre pikë diferencën me Tiranën kryesuese.