Sport

Partizani rikthehet tek fitorja, Kastrioti merr tre pikë ndaj Teutës!

Partizani i Dritan Mehmetit e ka nisur vitin 2022 në mënyrën më të mirë të mundshme. “Demat e kuq”, mposhtën Egnatian me rezultatin 0-3 në sfidën e vlefshme për javën e 16-të të Kategorisë Superiore.

Një duel me dy tablo, teksa pjesa e parë foli më së shumti për vendasit e Zekerija Ramadanit, që goditën edhe traversën me Imerin, ndërkohë që në fragmentin e dytë dominimi ishte i gjithi i të kuqve, që realizuan plot 3 herë.

Ishte Esat Mala ai që hapi serinë e golave në minutën e 47-të, teksa Skuka dyfishoi shifrat në të 61-tën. Debutim ëndrrash për sulmuesin, në ndeshjen e parë me fanellën e Partizanit. Për të vulosur këtë takim, mendoi Rrapaj, që shënoi golin e tretë në minutën e 73-të.

Me këtë triumf, Partizani u rikthye te fitorja pas 2 humbjesh radhazi, duke u ngjitur në kuotën e 51 pikëve. “Demat e kuq”, janë të pozicionuar në vendin e 5-të. Për sa i përket Egnatias, rrogozhinasit, mbajnë vendin e 9-të me 14 pikë në 16 ndeshje.

Në sfidat e radhës, Partizani do të përballet me Kastriotin në kryeqytet, ndërkohë që Egnatia është mysafire në Shkodër ndaj Vllaznisë.

Ndërsa Kastrioti ka arritur të mposhtë me rezultatin 2-0 kampionët aktualë të Shqipërisë, Teutën në stadiumin e qytetit të Kamzës falë golave të Bedri Grecës dhe Spartak Ajazit.

Llogaritë e takimit u hapën në minutën e 14′ me anë të Bedri Grecës pas disa kombinimeve dhe u tregua i saktë para porte duke mposhtur Pano Qirkon.

Pjesa e dytë nisi vakët pa shumë raste, por goli i dytë erdhi nga Spartak Ajazi, i cili realizoi pas 50 sekondave në fushën e blertë, teksa në minutën e 72′, Kodra godet portën dhe Qirko nuk e ka grushtuar si duhet, por Ajazi përfiton dhe tregohet i saktë duke realizuar golin e dytë dhe të vulosjes së këtij takimi.

Ky ishte suksesi i parë për Kastriotin me Emiljano Çelën teksa debuton me fitore në pankinë ku me këtë triumf mbajnë ende vendin e fundit të klasifikimit në kuotën e 11 pikëve, ndërsa kjo disfatë për Teutën e mban në vendin e 6 në kuotën e 18 pikëve.