Sport

“Partizani-Tirana” në Elbasan Arena, publikohen formacionet zyrtare

Partizani dhe Tirana do të matin forcat për herë të fundit këtë sezon, duke nisur nga ora 18:45 në “Elbasan Arena”, me “të kuqtë” që do të synojnë të blindojnë Europën dhe “bardheblutë” që duan të vulosin titullin kampion në derbi.

Të dy trajnerët kanë ndarë mendjen për formacionet që do të hedhin në fushë, me Dritan Mehmetin që ka konfirmuar 10 prej lojtarëve që kishte titullarë ndaj Kukësit dhe ka shtuar edhe të rikthyerin nga pezullimi, Matondo.

Nga ana tjetër, Orges Shehi ka zgjidhur dilemat e mungesave të shumta, teksa në sulm i ka besuar taulant Seferit, që do të mbështetet nga Hoti dhe Ismailgeci.

Partizani: Hoxhaj; A. Marku, Bitri, Belica, Hadroj; Mala, Matondo, Rrapaj; Cara, Stenio Junior, Skuka.

Tirana: Bekaj; Toshevski, Behiratce, Hoxhallari, Përgjoni; Totre, Toli, Limaj; Ismailgeci, Hoti, Seferi.

Ndërkaq, janë shtuar kontrollet policore në autostradën Tiranë-Elbasan për shkak të ndeshjes Partizani-Tirana në “Elbasan Arena”.

Tifozë të dy skuadrave të kryeqytetit janë nisur drejt Elbasanit, duke krijuar edhe trafik në afërsi të tunelit.

Kontrollet po kryhen për të shmangur incidente, të cilat zakonisht janë të pranishme kur janë përballë këto dy skuadra.

Dita sot cilësohet si e shtuna e derbit, me Partizanin dhe Tiranën që përplasen për herë të fundit këtë sezon. Takimi nis të luhet prej orës 18:45 minuta në stadiumin “Elbasan Arena”, çka penalizon tifozët, por jo rivalitetin me armiqtë e përjetshëm, në një 90-minutësh me emocione. Tirana kërkon një fitore për të zyrtarizuar titullin kampion, kur te Partizani kanë shansin për t’i shtyrë festën rivalëve të mëdhenj.