Aktualitet

Partnerja 14-vjeçare solli në jetën fëmijën, Gjykata lë në burg 21-vjeçarin!

“Arrest me burg” për 21- vjeçarin, babanë e foshnjës që lindi 14-vjeçarja e komunitetit rom.

21-vjeçari, i cili prej më shumë se një viti bashkëjetonte me një 14-vjeçare, u la në burg nga gjykata e Korçës.

Ndaj tij rëndon akuza “marrëdhënie seksuale me të mitur”, teksa e mitura solli në jetë një fëmijë pak ditë më parë. Kur 14-vjeçarja e komunitetit rom lindi në maternitet, uniformat blu i vunë prangat të riut.

Vetë e mitura është shprehur se me partnerin kishte zgjedhur të jetonte me dëshirën e saj dhe pëlqimin e prindërve.

Në një intervistë për Top Channel pak ditë më parë, mes lotësh, ajo kërkoi lirimin e babait të fëmijës, ndërsa u shpreh se vetëm ai punonte dhe sillte të ardhura për të dhe foshnjën e porsalindur.

“Kam një vit që njihem me bashkëshortin. Jemi njohur ne Elbasan. U thashë edhe prindërve të mi. Ata ranë dakord dhe kam një vit me të. Unë kam një fëmijë me të, përse ta arrestojnë. Ai s’më ka marrë me zor. Dua që të lirohet burri im, kush do më ushqejë mua po fëmijën tim?! Dua të ma lironi që sot. Unë s’kam si të jetoj, unë vetëm atë kam, një krah pune kisha. Punonte ai, që më sillte për të ngrënë më shtëpi. Punonte dy punë, edhe ditën, edhe natën për të më sjellë bukë në shtëpi. Dua të ma lirojnë. Më kanë ardhur mami me babin nga Miloti, unë s’kam dhënë asnjë deklaratë në polici, por që dje jam njoftuar për burrin që e kam në polici”, u shpreh vajza.