Celebrities Film & Tv

Pas 3 vitesh, ‘Oscar 2022’ do të ketë prezantues!

Edicioni i sivjetshëm i ceremonisë prestigjioze “Oscar” do të ketë prezantues pas 3 vjetësh mungesë. Craig Erwich nga “ABC Entertainment” ka bërë të ditur se mbrëmja kur do të ndahen çmimet akademike e cila mbahet në muajin Mars, do të rikthehet pas tri vjetësh ne formatin tradicional të organizimit të ceremonisë me prezantues, edhe pse nuk e zbuloi se kush do të jetë personi që do ta ketë nderin ta drejtojë këtë eveniment të rëndësishëm.

Ceremonia “Oscar” për herë të fundit u prezantua nga Jimmy Kimmel në vitin 2018, por organizatorët nuk kanë angazhuar ndonjë personalitet tjetër në këtë rol nga rasti i tërheqjes së komedianit Kevin Hart nga kjo detyrë, si rrjedhojë e rishfaqjes në skena të disa komenteve të kaluara ku ai kishte bërë shaka homofobike.

Edicioni i sivjetshëm i ceremonisë do të mbahet më 27 Mars në teatrin “Dolby” në Hollywood. Ndërkohë që nuk janë bërë të ditura nominimet e sivjetme për çmimin më të rëndësishëm kinematografik “Oscar”, por besohet se do të ketë diversitet në mesin e filmave dhe regjizorëve të nominuar, pasi vitet e fundit ceremonitë e çmimeve Oscar në përgjithësi janë kritikuar ashpër nga publiku për anashkalimin e artistëve me meritokraci për shkaqe gjinore apo racore.

Ju sjellim në vëmendje se ‘Hollywood Press Association’ së fundmi ka shpallur fituesit e çmimeve “Golden Globes” për vitin 2022 në rrjetet sociale. Ata që dominuan ishin “The Power of the Dog” i regjisores Jane Campion dhe “West Side Story” i Steven Spielberg, që rrëmbyen nga 3 çmime. “West Side Story”, një ripërshtatje e klasikut të vitit 1961 nga Steven Spielberg triumfoi në kategorinë e filmave më të mirë komedi e muzikal. Protagonistja e tij, Rachel Zegler, u vlerësua si aktorja më e mirë në rol kryesor, ndërsa Ariana DeBose mori çmimin e aktores me të mirë joprotagoniste.

“The Power of the Dog” dominoi në kategorinë e filmit dramatik, me Jane Campion që u vlerësua si regjisorja më e mirë dhe Kodi Smit-McPhee që mori Globin e Artë për aktrimin në rol dytësor. Protagonisti i filmit, Benedict Cumberbatch ishte nominuar për çmim në kategorinë kryesore, por humbi ndaj Will Smith që u vlerësua për performancën në “King Richard”.