Sport

Pas akuzave, reagon mjeku i Maradona-s: “Nuk do ta braktisja kurrë, ai ishte babai im”

Legjenda e futbollit, Diego Armando Maradona ndërroi jetë në 25 nëntor si pasojë e një ataku kardiak. Pasi ylli argjentinas u nda nga jeta, avokati i tij, Matias Morla, kërkoi hetim për vdekjen e Maradona-s, duke pretenduar se nuk ka pasur vëmendjen e personelit mjekësor për 12 orë.

Neurokirurgu, Leopoldo Lukii që është kujdesur për të ndjerin ka reaguar dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat. Ai i ka cilësuar ato si të turpshme, sepse sipas tij është kujdesur për Maradona-n njësoj si të ishte i ati. “Për çfarë jam përgjegjës? Që i qëndrova pranë, që e doja, e ndihmoja? Që isha aty kur të gjithë më thonin hiq dorë sepse nëse ndodh diçka ata do të lajnë duart duke të fajësuar ty?! Nuk do ta braktisja kurrë, sepse ishte miku im, shoku im i ngushtë, babai im. Është shumë e padrejtë, por nuk pendohem për asgjë. Diego ishte i lodhur. I lodhur së qenuri Maradona. Ai ishte personi më rebel dhe më i pavarur që kam njohur ndonjëherë. Ai vendoste për gjithçka dhe kërkonte të jetonte si Maradona”,-është shprehur mjeku.