Aktualitet

Pas Arbër Paplekajt priten të tjera arrestime për ngjarjen e Elbasanit

Lidhur me ngjarjen e djeshme në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona, mësohet se ndaj të arrestuarit të vetëm Arbër Paplekaj rëndon akuza e “Vrasjes në rrethana cilësuese”. Deri tani në kërkim policor është Kelmend Xhaferri, si dhe janë pyetur oficerë të policisë së Elbasanit të pranishëm dje në vendngjarje. Ata kanë treguar se si ndodhi konflikti.

Ndërkaq, burime jozyrtare thanë për Top Channel se veç Paplekës pritet të ketë fletë-arresti për disa të shoqëruar. Eshtë fjala për mbështetës të PD-së. Çështja po diskutohet me dy prokurorë. Disa prej të shoqëruarve nuk janë lënë të lirë. Shumica e tyre dhanë deklarata pa interes për hetimin, por disa treguan se çfarë panë apo dëgjuan. Të afërmit e të shoqëruarve vazhdojnë t’i presin jashtë, sa të mbarojnë veprimet hetimore.

Sot në Elbasan ishin drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu e kreu i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj.

Ndërsa vijojnë hetimet, ende nuk është zbardhur e plotë dinamika e ngjarjes së djeshme që i kushtoi jetën mjekut psikiatër, ish-eksponent i LSI-së e PDIU-së në Elbasan, në këtë fushatë zgjedhore i aktivizuar me PS-në. Vazhdon të mbetet e paqartë se kush qëlloi i pari me armë zjarri.

Deri tani është mësuar se me pretendimin se në një makinë tip Benz ML pa targa gjendeshin karta identiteti të blera e materiale zgjedhore të ndaluara, pjesëtarë të Strukturës pranë PD-së, të cilët zbritën nga tre furgona të bardhë me logo të Selisë Blu, i kërkuan drejtuesit të automjetit, militant socialist të hapte makinën. Ky i fundit ka refuzuar dhe në vendngjarje është thirrur policia e gjithashtu u njoftuan mbështetës socialistë çka rriti tensionet pasi pati një përplasje fillimisht verbale. Më pas, nga numri i gëzhojave të gjetura mendohet se është përdorur më tepër se një pistoletë, pra jo vetëm ajo e të arrestuarit Paplekaj. Nga ana tjetër, viktima, nuk ka qenë i armatosur.