Bota

Pas arrestimit, gjen vdekjen i dyshuari i dytë i masakrës së Kanadasë!

Në Kanada gjen vdekjen edhe i dyshuari i dytë i masakrës së 4 shtatorit ku nga goditjet me thika humbën jetën 10 persona dhe u plagosën 18 të tjerë. Në njoftimin zyrtar, policia kanadeze bëri të ditur se Myles Sanderson, 32 vjeç, u kap nga autoritetet në një autostradë në provincën Saskatchewan mbrëmjen e djeshme.

Sipas pamjeve filmike të regjistruara, makina me të cilin ai po tentonte largimin, doli nga rruga dhe më pas u rrethua nga automjetet e forcave të rendit, në afërsi të qytetit Rostern.

Policia raportoi se Sanderson u prangos në orën 15:30 me atë lokale, por pak pas arrestimit, pati një shqetësim shëndetësor dhe u dërgua në spital, ku ndërroi jetë. Rhonda Blackmore, zyrtare e lartë e policisë kanadeze nuk dha të tjera detaje, duke thënë se “shkaku i vdekjes do të përcaktohet pas autopsisë”.

Por, një tjetër zyrtar i cili nuk pranoi të identifikohej iu tha mediave vendase se Sanderson vdiq nga plagë që i kishte shkaktuar vetes, në përpjekjen për t’i dhënë fund jetës.

Para se të arrestohej nga policia, mediat në Kanada raportuan se Sanderson kishte hyrë në shtëpinë e një gruaje duke marrë edhe çelësat e automjetit të saj privat. Më pas, e grabitura kontaktoi autoritetet për të denoncuar ngjarjen.

Myles Sanderson përballej me akuza për vrasje e plagosje. Edhe vëllai i tij, Damien Sanderson akuzohej se luajti rol kyç në sulmet e së dielës së kaluar në rajonin Saskatchewan. Këtë fillimjavë, agjentët gjetën trupin e pajetë të Damien Sandersonit dhe tani po kryhen hetime nëse Myles e ka vrarë të vëllanë gjatë kohës kur policia po i ndiqte që të dy.

Më herët gjatë ditës së djeshme, prindërit e vëllezërve Sanderson, apeluan që Myles që të dorëzohej, teksa kërkuan falje për veprimet e fëmijëve të tyre. Policia në Kanada ende nuk ka treguar motivin e sulmeve me thikë. Shumica e viktimave ishin nga James Smith Kri, një komunitet indigjen.