Sport

Pas “Australian Open”, Novak Xhokoviç rrezikon edhe “French Open”!

Tenisti serb, Novak Xhokoviç u kthye sot në Serbi, pasi një ditë më parë u dëbua nga Australia për shkak se nuk ishte i vaksinuar kundër COVID-it. Vendimi i autoriteteve i dha fund shpresave të 34-vjeçarit, që të mbronte titullin në turneun “Australian Open”. Por, Xhokoviç rrezikon të mos marrë pjesë as në “French Open”.

Deputeti francez, Christophe Castaner tha se “sipas një ligji të ri, të gjithë personat e pavaksinuar, nuk do të lejohen të marrin pjesë në evente sportive, restorante dhe në të tjera vende publike”.

Një masë e tillë do të aplikohet edhe ndaj sportistëve që duan të garojnë. Franca paralajmëron t’i ndalojë pjesëmarrjen në “French Open” që zhvillohet në maj e qershor, pas miratimit të ligjit të ri.

Ministria e Sportit:

Ky ligj do të zbatohet për të gjithë: tifozët dhe sportistët, por gjendja me pandeminë mund të ndryshojë deri atëherë.

Më herët, dëbimi i Xhokoviçit nga Australia i dha fund një beteje ligjore që nxiti debat lidhur me vaksinimin kundër koronavirusit. E tani, debati ende vazhdon nëse ai do të lejohet të marrë pjesë në turneun e radhës, “French Open”. Avioni ku udhëtonte tenisti arriti në Beograd të Serbisë, ku dhjetëra tifozë me flamuj serbë, e pritën në aeroport.

Në emër të interesit publik, autoritetet australiane i anuluan vizën, duke argumentuar se qëndrimi i tij në Australi do të nxiste ndjenjat kundër vaksinimit anti-COVID. Ndërkaq, “Australian Open” nisi sot në Melburn. Ai shpresonte edhe këtë vit të fitonte, që të arrinte 21 trofe Grand Slam duke u bërë tenisti me më shumë trofe në histori.