Bota Love & Sex

Pas çdo stuhie dielli lind sërish, gruaja afgane sjell në jetë fëmijën në një avion evakuimi!

Një grua që po largohej nga Afganistani mes kaosit të vazhdueshëm në vend, ka lindur në avionin e evakuimit. Komanda e Lëvizshmërisë Ajrore të SHBA-ve bëri një postim në Twitter për gruan, e cila lindi gjatë rrugës për në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani. Foshnja dhe nëna thuhet se janë në gjendje të mirë dhe ndodhen në një institucion mjekësor aty pranë.

Në një moment të udhëtimit, gruaja shtatzënë filloi të kishte komplikime. Piloti duhej të ulte avionin për të rritur presionin e ajrit në aeroplan, çka ndihmoi në stabilizimin dhe shpëtimin e jetës së nënës. Personeli mjekësor hipi në avion duke ndihmuar nënën gjatë lindjes.

Rreth 17,000 njerëz janë evakuar deri tani nga Kabuli prej ushtrisë amerikane. Aeroporti i Kabulit është në kaos, duke qenë se shumë njerëz po qëndrojnë aty prej ditësh, duke pritur një shans për të ikur nga vendi pasi talebanët morën kontrollin e qytetit. Nga ana tjetër, talebanët kanë fajësuar SHBA-të për kaosin në aeroport.

Një zyrtar i lartë taleban ka akuzuar perëndimin se po kërkon që të krijojë panik dhe kaos në Afganistan, pas marrjes së pushtetit. Amir Khan Mutaqi ka deklaruar se SHBA-ja po përpiqet që të fsheh humbjen e saj duke krijuar një “dramë evakuimi”.

Ndonëse në media janë shpërndarë pamje ku shihen njerëz që dhunohen, rrihen me kamzhik, talebanët vijojnë të thonë se kanë ardhur aty në paqe, e ndërsa Amir Khan Mutaqi shtoi se çdo vendim merret për të mirën e Afganistanit. Madje, ai shtoi se talebanët janë në bisedime me të gjithë për të arritur një marrëveshje të re për qeverinë e ardhshme.