Sport

Pas Cikalleshit, edhe Klaus Gjasula me COVID/ Nuk do të luajë me Poloninë!

Lajm që askush nuk do ta dëshironte ta dëgjonte para sfidës me Poloninë. Klaus Gjasula rezultoi pozitiv me koronavirus e për rrjedhojë, praktikisht, e humb sfidën me polakët. Mësohet se Gjasula është futur menjëherë në karantinë, për të mos infektuar lojtarët e tjetër të Kombëtares.

Konfirmimi i Gjasulës vjen një ditë pas konfirmimit të infektimit të Sokol Cikalleshit. “Dhimbje koke” për Edy Reja-n, të cilit i prishen planet pak orë para ndeshjes me Poloninë sa i përket formacionit titullar.

Në njoftimin e FSHF-së specifikohet:

Futbollisti kuqezi ka pasur simptoma dhe ka bërë menjëherë testin me tampon, ku më pas ka rezultuar pozitiv. Në këto kushte, në bazë të protokollit sanitar, i gjithë ekipi dhe stafi teknik kanë kryer sërish testin me tampon dhe të gjithë kanë rezultuar negativ.

Klaus Gjasula bëhet mungesa e pestë e kuqezinjve në ndeshjen shumë të rëndësishme ndaj Polonisë, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Katar 2022”. Përveç mesfushorit, trajnerit Reja do t’i mungojnë edhe Bekim Balaj e Berat Gjimshiti të dëmtuar, Endri Çekiçi i skualifikuar e Sokol Cikalleshi, i cili gjithashtu ka rezultuar pozitiv me COVID-19, në testet e një dite më parë. Sonte në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria përballet me Poloninë që për kuqezinjtë do të jetë si një finale në garën për vendin e dytë në Grupin I kualifikues të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022, pozicion që i çon kuqezinjtë për herë të parë në histori në fazën play-off.