Aktualitet

Pas daljes nga SPAK, Shkëlzen Berisha: Nuk kam lidhje me çështjen Gërdeci!

Pas marrjes në pyetje nga SPAK, Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha mohoi të këtë lidhje me çështjen Gërdeci. Në një prononcim për mediat deklaroi:

Jam thirrur si person që ka dijeni për çështjen. Jam thirrur për çështjen e Gërdecit dhe jam pyetur. Sigurisht nuk kisha çfarë të ofroja më shumë se ato që kam deklaruar publikisht. Nuk mendoj se dijenia ime i ka dhënë ndihmë hetimit në fjalë. S’kam asnjë lidhje me këtë gjë.

Kam përsëritur të gjitha ato që kam thënë publikisht. Kam ardhur në respektim të ligjit si çdo qytetar. E kam deklaruar publikisht se nuk e kam parë të arsyeshme thirrjen time. Sot pas 15 vitesh, e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë, e njëjta çështje, të njëjtat rrethana, mendojnë se unë mund të kem dijeni për rrethanat e çështjes.

I pyetur në lidhje me thirrjen nga SPAK-u edhe të ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Shkëlzen Berisha tha se s’ka asnjë lidhje me të.

Ajo që Prokuroria duhet t’i thotë publikut pas 15 vitesh është se kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim. Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime.

Në lidhje me komunikimin me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Shkëlzen Berisha u shpreh se asnjë gjë nuk ka pasur lidhje me këtë çështje.

Kam folur për gjëra personale dhe s’kam dëshirë t’i zbuloj këtu. Jam pyetur brenda. Të komunikosh nuk do të thotë që ke lidhje në të tilla çështje. Nuk ndjehem aspak i rrezikuar nga SPAK-u.

Mbi një muaj më parë ishte Aldo Bumçi, i cili dëshmoi në SPAK për çështjen e Gërdecit, ndërsa më 10 janar, ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu iu komunikua akuza “Për shpërdorim detyre”. Kjo në lidhje me shpërthimet e 15 marsit 2008 në një fabrikë të demontimit të armëve e municioneve në fshatin Gërdec të Tiranës. 26 persona humbën jetën dhe rreth 300 u plagosën.