Bota

Pas djegies së Kuranit, sulmohet ambasada suedeze në Bagdad!

Sulmohet ambasada suedeze në Bagdad, në shenjë proteste për djegien e Kuranit në Suedi. Në orët e para të mëngjesit, qindra protestues iu drejtuan selisë diplomatike të Stokholmit në qendër të kryeqytetit të Irakut. Pasi u ngjitën në mure, i vunë flakën. Burime zyrtare bëjnë të ditur se nuk pati të dëmtuar.
Ministria e Jashtme suedeze dënoi me forcë sulmin dhe theksoi rëndësinë e marrjes së masave të nevojshme nga autoritetet irakiane, për të mbrojtur misionet diplomatike. Por, ky dikaster nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për informacion shtesë në lidhje me situatën.

Mbështetësit e klerikut shiit, Muqtada Sadr organizuan protestën kundër djegies së dytë të planifikuar të Kuranit në Suedi, brenda pak javësh. Njoftimi për protestë u bë përmes postimeve në një grup në Telegram të ndjekur gjerësisht dhe që është i lidhur me klerikun me ndikim. Po ashtu, në të tjera kanale mediatike që e mbështesin.

Si një nga figurat më të rëndësishme të Irakut, Sadr ka ndikim mbi një numër të madh ndjekësish të përbërë nga qindra mijëra mbështetës. Më parë, ai ka thirrur ndjekësit e tij për të dalë në rrugë në raste të ndryshme, si verën e kaluar kur pushtuan Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit, duke çuar në përplasje fatale.

Sipas lejes së lëshuar dje nga policia suedeze, u miratua një tubim publik jashtë ambasadës së Irakut në Stokholm. Vetëm dy persona pritej të merrnin pjesë. Njëri prej tyre ishte i njëjti që në qershor i vuri zjarrin Kuranit, jashtë një xhamie të Stokholmit.

Duke përmendur shqetësimet e sigurisë, policia suedeze refuzoi disa aplikime për protesta në fillim të këtij viti, që do të përfshinin djegien e Kuranit. Gjykatat kanë rrëzuar vendimet e policisë, duke theksuar se të tilla akte mbrohen nga ligjet e vendit për lirinë e fjalës.

Një seri videosh të postuara në grupin Telegram, “One Baghdad”, treguan njerëz që mblidheshin te ambasada suedeze rreth orës 01:00 të mëngjesit, duke brohoritur parulla pro-Sadr e teksa sulmonin kompleksin e ambasadës rreth një orë më vonë.

Po, po për Kuranin!

Më vonë, u ngrit tym nga një ndërtesë në kompleksin e ambasadës dhe protestuesit që qëndronin në çatinë e objektit.