Aktualitet

Pas dyshimeve për furnizimin e Rusisë me raketa, BE zotohet për sanksione ndaj Iranit!

Bashkimi Evropian (BE) e ka dënuar furnizimin e dyshuar të Rusisë me raketa balistike nga Irani, si dhe është zotuar se do të vendosë sanksione të reja ndaj republikës islamike.

Në një komunikatë të përbashkët të premten, 27 vendet anëtare të BE-së thanë se furnizimi “është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë evropiane” dhe se kjo përbën përshkallëzim, pasi Irani në të kaluarën e ka furnizuar Rusinë me municione dhe dronë.

Shefi i politikës së jashtme dhe sigurisë i bllokut, Josep Borrell, tha se BE-ja do të përgjigjet shpejt me sanksione të reja ndaj programeve raketore dhe dronëve të Iranit.

Irani i ka mohuar akuzat nga Ukraina dhe Perëndimi se po e furnizon Rusinë me raketa. Teherani e ka mohuar edhe në të kaluarën se e furnizon atë me dronë luftarakë.

“BE-ja e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin kundër furnizimit të Rusisë me raketa balistike”, thuhet në njoftim.

Irani është tejet i izoluar politikisht për shkak të programit të tij bërthamor dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.

Në vitet e fundit, udhëheqësia iraniane është përgjigjur duke i forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.

Në fillim të kësaj jave, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania i anuluan marrëveshjet për shërbime ajrore me Teheranin dhe u zotuan se do ta sanksionojnë kompaninë e saj ajrore, Iran Air.

Treshja evropiane, e njohur si E3, tha në një komunikatë më 10 shtator se ka ndërmarrë masa pasi konfirmoi se Irani kishte transferuar raketa balistike në Rusi.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj 10 individëve dhe gjashtë subjekteve me bazë në Iran dhe në Rusi, përfshirë ndaj Iran Air, për furnizimin e dyshuar me raketa balistike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanani, tha më 10 shtator se këto akuza janë “plotësisht të rrejshme dhe të pabaza”.