Politikë

Pas Gjirokastrës, LSI-ja ankimon rezultatin zgjedhor për Beratin!

Në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi sot rezultatin zgjedhor për Qarkun e Beratit, siç veproi pak ditë më parë edhe për Qarkun Gjirokastër. Sot është edhe afati i fundit i ankimimeve për subjektet politike në KAS.

LSI-ja pretendon se gjatë numërimit të votave të vlefshme ka pasur parregullsi nga grupet e numërimit dhe deklaron se “sipas pamjeve filmike dhe provave të mbledhura nga komisionerët e saj, janë të paktën 80 vota të vlefshme që i janë marrë”.

Në disa Qendra Votimi u gjetën në kutinë e fletëve të votimit, fletë pa vulë dhe në çdo KZAZ janë konstatuar tentativa për votim të dyfishtë nga i njëjti zgjedhës. Në QV 3431, Ullinjas dhe në QV 3318, Drobonik u konstatua nga grupi i numërimit mospërputhje e numrit të votuesve me fletët e votimit duke shprehur dyshime mbi procedurën e KQV lidhur me mënyrën e verifikimit dhe nxjerrjes së rezultatit të pjesëmarrësve në votim pranë këtyre dy qendrave votimi.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi nuk mori asnjë mandat në qarkun Berat.