Rajoni

Pas Hashim Thaçit edhe Kadri Veseli deklarohet “i pafajshëm”!

Në një seancë të ndarë, pas Hashim Thaçit, edhe Kadri Veseli u deklarua i pafajshëm, duke kërkuar që të nisë sa më shpejt gjykimi.

I kam lexuar akuzat e reja, por vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë para qytetarëve e gjykatës.

Po sot, para Dhomave të Specializuara paraqiten edhe Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, të cilët së bashku me Thaçin e Veselin ndajnë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte e kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar. Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor po të 2020-ës.

Më herët gjatë ditës, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u deklarua i pafajshëm për disa akuza të reja të paraqitura nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Në seancën e sotme, Thaçi theksoi se nuk i ka kuptuar pasi ishin shumë të redaktuara, por u shpreh se “deklarohet i pafajshëm”. Përmes lidhjes video nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, tha:

Deklarohem i pafajshëm, edhe pse materialin nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm!

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, vuri në dukje se “Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tre kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Akuzat e reja kanë të bëjnë me krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një tjetër në Gjilan.

Kategoria e parë lidhet me dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer përndjekje, burgosje apo ndalim arbitrar, tortura, vrasje dhe zhdukje me forcë.

Kategoria e dytë ka të bëjë me dy raste të përndjekjes e vrasjes, në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit, si dhe modifikime të kohës kur kanë ndodhur.

Kategoria e tretë përfshin pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera.

Në seancë nuk u lexuan akuzat e reja, por gjyqtari tha se do të publikohen online.