Aktualitet

Pas homazheve, ish-presidenti Bujar Nishani do të prehet në varrezat e Sharrës!

Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ish-ministër e ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë do të prehet në varrezat e Sharrës. Për rreth dy orë, deri në mesditë, në Presidencë u zhvilluan homazhet zyrtare, ndërsa sot vendi është në zi. Homazheve iu bashkuan të afërm, miq, kolegë, zyrtarë të lartë të vendit e diplomatë të huaj, mes tyre ambasadorja amerikane Yuri Kim. Presidenti Ilir Meta mbajti fjalimin e lamtumirës:

Familjarë të presidentit Nishani! E nderuar kryetare e Kuvendit, Lindita Nikolla! Të nderuar ish presidentë, ish kryetarë të Kuvendit dhe ish kryeministra të Shqipërisë dhe Kosovës! Të nderuar udhëheqës politikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi që na keni nderuar sot. Të nderuar ambasadorë. Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë. Faleminderit për praninë tuaj sot për t’i dhënë lamtumirën Bujar Nishanit!

Fundi i papritur lë plot pengje për mundësitë e humbura, për ato që nuk u thanë dhe ato që nuk u bënë dot. Dhimbja e bën të vështirë gjetjen e fjalëve që mund të kurojnë këto plagë njerëzore. Ai qe i rrethuar nga dashuria e familjes së prindërve dhe asaj që krijoi më pas me Odetën. Për presidentin Bujar Nishani këto ditë ka pasur vlerësime mëse të merituara. Kanë folur bashkëpunëtorët, miqtë, dashamirësit. Kanë folur shqiptarët edhe miqtë e Shqipërisë. I ardhur në politikë nga FA, ai solli virtytet më të mira të ushtarakëve në jetën politike dhe institucionale të vendit.

Ai e shihte politikën si art dhe besonte se ishte instrument për të sjellë ndryshime. Ai besonte te demokracia dhe shteti ligjor. Presidentit Nishani i peshonte fjalë. Ai çmohej për thjeshtësinë në komunikimin publik. Do mbahet mend për qetësinë, forcën e argumentit. Si kryetar i shtetit punoi me përkushtim në mbrojtje të Kushtetutës. Punoi për të forcuar frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në vend. Ai besoi deri në fund te demokracia.

Si president në 100 vjetorin e shtetit shqiptar ai mëshiroi këto parime. Ai ushqente një dashuri të veçantë për Kosovën. Presidenti Nishani pati bashkëpunim me faktori politik shqiptar në rajon. Ai diti të vendosë ekuilibrat në marrëdhëniet institucionale dhe vëllazëror. Sot në ditën e lamtumirës, e falënderojmë për modelin që ai solli si shtetar, politika, familjar dhe shtetar dhe shembullor. I paharruar ish presidenti Bujar Nishani!

Kryetari i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj:

Ikja e një copëze historie, ikja e një copëze politike të një burri të urtë, të qetë që lëshonte vetëm sinjale paqeje dhe mirësie, të pakta janë këto sinjale në botën tonë të trazuar, kjo e bën më të madhe humbjen. Shpirti i tij të jetë në parajsë, Zoti i dhëntë forcë bashkëshortes dhe familjes!

Kreu i grupit socialist, Taulant Balla:

Do të ruaj respektin për Bujar Nishanin kundërshtar, por edhe një personalitet që erdhi nga fusha ushtarake, por që tregoi respektin ndaj Kushtetutës dhe interesit të vendit, gjatë ushtrimit të detyrës. Nuk qe e shkruar që Bujari t’ia kalonte dhe një beteje të rëndësishme për jetën, vlerësimi për të do të jetë maksimal!

Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare më 28 maj, ndërsa prej javësh ishte shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore në një spital në Gjermani. Presidenti Meta e vlerësoi me Dekoratën e Flamurit Kombëtar (pas vdekjes), më e larta e shtetit shqiptar.