Sport

Pas humbjes me Anglinë, Low i jep lamtumirën Gjermanisë!

Trajneri Joachim Low i jep lamtumirën Gjermanisë, skuadrës të cilën e drejtoi për 15 vite.

Projektet?

Për momentin nuk kam ide të qarta rreth të ardhmes. Më nevojitet një pushim e të rikuperoj energjitë për t’i shfrytëzuar për diçka tjetër.

61-vjeçari e mbylli me një humbje. Gjermania u mund dje nga Anglia me rezultatin 2-0 dhe nuk mund të vazhdojë rrugëtimin në Euro 2020. Low nuk e imagjinonte kështu.

Zhgënjim i thellë për të gjithë ne! Në këtë kompeticion prisnim shumë më tepër e kishim besim të madh. Në ndeshje të tilla si ajo me Anglinë duhet të shfrytëzosh çdo rast. Werner e Muller nuk ia dolën, Anglia po! Nuk u treguam konkretë!

Zhgënjimin e teknikut në ikje e ndajnë edhe lojtarët. Mesfushori gjerman Toni Kroos thotë se “goli i parë i shënuar nga Anglia ndryshoi gjithçka për keq në skuadrën e tyre”.

Por, Low ka edhe merita të padiskutueshme. Nën drejtimin e tij, Gjermania u shpall Kampione e Botës në Futboll në vitin 2014. Në 15 vite, siguroi 124 fitore, 40 barazime e 34 humbje. E krahas titullit kampion në 2014, lë pas vendin e dytë në Euro 2008 e të tretin për Gjermaninë në Botërorin 2010.

Bilancet e trajnerit gjerman janë kryesisht pozitive ndërsa gjestet e tij, “të pahijshme”.

Me humbjen e djeshme ndaj Anglisë, Gjermania mbyll një cikël, të cilin nuk dëshiron ta kujtojë gjatë ndryshe nga anglezët që i gëzohen fitores historike.