Sport

Pas humbjes së Gjermanisë, reagon Thomas Muller: “Kjo gjë do të më lëndojë deri në vdekje”

Sulmuesi i Kombëtares së Gjermanisë, Thomas Muller ka reaguar në rrjetin e tij social, Instagram për humbjen që pësoi skuadra e tij ndaj Anglisë, në kuadër të fazës së 1/8-tës të “Euro 2020”. Anglia mposhti Gjermaninë me rezultatin 2-0 në ndeshjen e 1/8-tës për të siguruar një vend në çerekfinale.

Megjithatë, ndeshja mund të kishte krejt rrjedhë tjetër nëse Muller do të ishte i saktë gjatë një rasti në minutën e 81-të kur rezultati ishte vetëm 1-0. Muller doli i vetëm me portierin dhe dështoi, ndërsa tashmë ka kërkuar falje dhe ka reaguar për të gjithë rastin në Instagram-in e tij:

Ai moment, që do ta kujtoj deri në fund të jetës, më bëri të mos fle sonte. Një moment për të cilin punon, stërvitesh dhe jeton si futbollist. Ju keni shansin të kaloni një komb të tërë në ekstazë. Të kesh këtë mundësi të tillë dhe më pas ta lësh të të ikë nga dora. Kjo gjë do të më lëndojë deri në vdekje. Më dhemb për të gjithë Gjermaninë, për shokët e mi të skuadrës dhe trajnerin tonë, i cili më dha besimin për të qenë aty në atë moment. Por, mbi të gjitha më dhemb për të gjithë tifozët e Gjermanisë që kanë qëndruar pranë nesh dhe na kanë mbështetur gjatë këtij Kampionati Evropian. Faleminderit për mbështetjen tuaj!