Bota

Pas infektimit për të dytën herë me COVID, negativizohet Joe Biden!

Joe Biden nuk ka më COVID. Pas testit të fundit, presidenti amerikan rezultoi negativ e doli nga izolimi dhe tani mund t’i rikthehet aktiviteteve të axhendës, si normalisht.

Rasti i infektimit të shefit të Shtëpisë së Bardhë tërhoqi vëmendje edhe më shumë për faktin se u riinfektua në pak ditë, ndonëse për fat të mirë, pa simptoma të rënda.

Për herë të parë, Biden u diagnostikua me koronavirus më 21 korrik dhe gjashtë ditë më pas, më 27 korrik, presidenti 79-vjeçar i Amerikës doli nga izolimi, por më 30 korrik u detyrua t’i nënshtrohej sërish karantinës, pasi përsëri rezultoi pozitiv.

Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, Dr. Kevin O’Connor, shpjegoi se rasti i rikthimit të virusit vërehet tek një përqindje e vogël e pacientëve që mjekohen me ilaçin Paxlovid dhe që shërben për trajtimin e koronavirusit.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore amerikane thonë se pavarësisht numrit të lartë të infektimeve në këtë periudhë, rastet nuk cilësohen të rënda, por me simptoma të lehta.