Bota

Pas kompromisit për tavanin e borxhit, presidenti amerikan Biden thekson konsensusin politik!

Pas javësh negociatash të vështira, presidenti Joe Biden e vuri theksin te aftësia e tij për të arritur kompromis me republikanët në fjalimin drejtuar vendit, pas miratimit të ligjit mbi Përgjegjësinë Fiskale. Kompromisi është një temë, së cilës do t’i rikthehet në fushatën e rizgjedhjes vitin e ardhshëm.

Masa e miratuar dje dhe që Biden do ta nënshkruajë sot, pezullon kufirin e borxhit të qeverisë amerikane deri në janar 2025 e shmang mospagimin e detyrimeve të qeverisë amerikane që mund të kishte pasoja katastrofike.

Eshtë thelbësore për të gjithë përparimin e bërë vitet e fundit, që të ruajmë besimin, kredinë e Shteteve të Bashkuara dhe miratimin e një buxheti që të vazhdojë të rrisë ekonominë tonë e të na pasqyrojë vlerat si komb. Miratimi i projektligjit ishte kritik.

Duke nënvizuar arritjet legjislative dypartiake gjatë administratës së tij, Biden nënvizoi se e vetmja mënyrë si mund të funksionojë demokracia amerikane është “përmes kompromisit e konsensusit”. Për tavanin e borxhit, tha:

Askush nuk mori gjithçka që donte, por populli amerikan mori atë që i duhej. Ne shmangëm një krizë ekonomike dhe një kolaps ekonomik.

Hera e parë që presidenti Biden foli drejtpërdrejt para vendit nga Zyra Ovale, ambienti më zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nga ku zakonisht presidentët flasin për tema të rëndësisë maskimale. Projektligji i miratuar lejon qeverinë të vazhdojë të marrë hua gjatë 19 muajve të ardhshëm, për të përmbushur detyrimet e saj, duke tejkaluar kufirin aktual të borxhit prej 31.4 trilion dollarësh.

Mbështetje dypartiake

Të enjten në mbrëmje, Senati Amerikan votoi 63-36, në mbështetje të projektligjit. Senatorët demokratë John Fetterman, Elizabeth Warren, Ed Markey, Jeff Merkley dhe Bernie Sanders, një i pavarur i cili voton me demokratët, iu bashkuan 31 republikanëve duke votuar kundër projektligjit. Në Dhomën e Përfaqësuesve kaloi me një votim 314-117, të mërkurën në mbrëmje.

Ligji nuk përcakton një kufi të ri monetar, por autoriteti i huamarrjes do të shtrihet deri më 2 janar 2025, dy muaj pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Për më tepër, ligji kërkon mbajtjen e pjesës më të madhe të shpenzimeve federale në nivelin aktual në vitin fiskal duke filluar në tetor, me një rritje prej 1% në 12 muajt pasues.

Masa nuk i rrit taksat dhe as nuk do të ndalojë rritjen e borxhit kombëtar, ndoshta me 3 trilion dollarë ose më shumë gjatë një viti e gjysmë, deri në skadimin e saj.

Pjesë të tjera përfshijnë një pakësim të numrit të agjentëve të rinj që do të punësojë Agjencia e Grumbullimit të Taksave, një kërkesë që shtetet të kthejnë 30 miliardë dollarë ndihma të pashpenzuara, të marra për pandeminë e koronavirusit nga qeveria federale dhe rritjen nga 50 në 54 vjeç, për grupmoshat që duhet të punojnë, për t’u kualifikuar për ndihma ushqimore.