Bota

Pas Krimesë, Rusia do të aneksojë 4 rajone ukrainase!

Nuk ka kthim pas për Rusinë. Pas organizimit të referendumeve në katër rajone të Ukrainës, me qëllim bashkimin e tyre me Rusinë dhe pjesëmarrjes së lartë të pretenduar nga Moska, Kremlini njoftoi se do t’i aneksojë formalisht. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se ceremonia e nënshkrimit do të mbahet nesër.

Në të do të marrin pjesë presidenti rus, Vladimir Putin dhe udhëheqësit pro-rusë të katër rajoneve ukrainase: Luhansk, Donjeck, Kherson e Zaporizhja.

Zyrtarët pro-rusë thanë se “votuesit e mbështetën me shumicë votash bashkimin me Rusinë”. Por, të ashtuquajturat referendume u hodhën poshtë nga Ukraina, qeveritë perëndimore e Kombet e Bashkuara, duke i cilësuar “të paligjshme”, referuar ligjit ndërkombëtar. Të katër rajonet formojnë rrip të rëndësishëm tokësor mes Rusisë dhe Gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e aneksoi ilegalisht nga Ukraina në vitin 2014.

Njoftimi i Kremlinit erdhi vetëm disa orë pasi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se “BE-ja po punon për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë”.

Ne nuk i pranojmë referendumet e rreme dhe asnjë lloj aneksimi në Ukrainë. Jemi të vendosur që ta bëjmë Kremlinin të paguajë çmim për këtë përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.

Paketa e tetë e propozuar e sanksioneve përfshin ndalime të mëtejshme të importit të produkteve ruse, që do ta privojnë Moskën nga 7 miliard euro të ardhura. Edhe SHBA-të deklaruan se “kurrë nuk do t’i njohin përpjekjet e Rusisë për të aneksuar pjesë të Ukrainës”. Uashingtoni po përgatit sanksione të reja ekonomike kundër Moskës, që do të imponojnë “kosto të rëndë ekonomike për Rusinë”.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në fund të shkurtit. Kombet e Bashkuara konfirmojnë rreth 6 mijë njerëz të vrarë në luftime, edhe pse kjo shifër besohet të jetë shumë më e lartë. Të paktën 12 milion persona u zhvendosën. Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka ndërmarrë një varg sanksionesh ekonomike e diplomatike kundër Rusisë, ndërkohë që Ukrainën po e ndihmon me armatim.